Lidhje

Shqipëri, Rama shpreh gadishmërinë të hetohet për korrupsion


Shqipëri, Rama shpreh gadishmërinë të hetohet për korrupsion
Shqipëri, Rama shpreh gadishmërinë të hetohet për korrupsion

Kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë me imtësi akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Zoti Rama tha se shpresonte që prokuroria të ketë nisur një përpjekje të vërtetë kundër korrupsinit dhe të mos dalë bosh me hetimet që ka nisur së fundi me disa cështje paralel. “Shpresoj se vënia në lëvizje e prokurorisë së fundmi nuk është xhiroja bosh e radhës, dhe nuk është thjesht belaja që e ka gjetur atë tani pas një gjumi të rehatshëm që pati për një periudhë kohe” - tha zoti Rama.

Zoti Rama, i cili po akuzohet nga deputetët e shumicës së djathtë për korrupsion, shkelje ligjore, shpërdorim pushteti vjedhje dhe rryshfete të majme me lejet e ndërtimit në bashkinë e Tiranës, u deklarua i hapur për cdo hetim. Ai i kërkoi prokurorisë që të dalë nga pasiviteti disavjecar i hetuesve anti-korrupsion. “Shpresoj se prokuroria do t’i shkojë deri në fund të gjitha akuzave. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë imtësisht të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj meje. Sigurisht të hetojë edhe të gjtha akuzat që ne kemi ngritur ndaj qeveritarëve” - tha zoti Rama.

Qeveria dhe opozita kanë disa muaj që po shkëmbejnë akuza për korrupsion dhe abuzime përkatësisht me buxhetin dhe me bashkinë. Akuzuesit janë zakonisht deputetë që akuzojnë deputetë të tjerë, gjë e vështirëson më tej hetimin e akuzave, derisa të dyja palët gëzojnë imunitet parlamentar.

Një pjesë e madhe e analistëve të shtypit politik mendojnë se nga numri i madh i konferencave plot akuza ndaj kudërshtarëve poltikë, hetuesit dhe prokuroria në tërësi vihet në një presion gjithnjë në rritje dhe pengohet të kryejë hetime profesionale të kujdesshme ndaj korrupsionit,që është një lloj krimi i vecantë, dhe që mund të konsumohet në një mori rrethanash të fshehta. Sipas tyre, ky shkëmbim akuzash që bëhet kryesisht me qëllimin për të dëmtuar imazhin publik të kundrshtarit politik, jo vetëm pengon drejtësinë që të bëjë punën e vet, por edhe bllokon funksionimin normal të institucioneve demokratike, si parlamenti, thirren që të bëjnë reforma dhe ligje në fusha jetike të vendit.

XS
SM
MD
LG