Pas cunamit të vitit 2004 në Oqeanin Indian, nga i cili gjetën vdekjen më shumë se 200 mijë njerëz, biznesmeni nga Çikagoja Frederik Day, shprehu dëshirën të ndihmonte ata që mbetën gjallë për të rindëstuar jetën e tyre. Ai është themeluesi i një korporate të quajtur Sram, që merret me prodhimin e pjesëve për biçikleta sportive. Deri tani, ai ka dërguar më shumë se 70 mijë biçikleta në disa nga vendet më të varfëra të botës.
Biçikleta me të cilën Lans Armstrong theu rekordet e Turit të Francës, punon me pjesë të prodhuara nga Korporata Sram në Çikago.
“Dy fituesit e fundit të Turit të Francës kishin biçikleta me pjesë të prodhuara nga ne. Po kështu edhe vitin e kaluar”.
Frederik Dej, e themeloi korporatën Sram bashkë me të vëllanë në vitet ’80. Ajo është tani kompania e dytë më e madhe në botë për prodhimin e pjesëve të biçikletave.
“Ne bëjmë të gjitha pjesët lidhen me trupin e biçikletës por nuk bëjmë të gjithë biçikletën nga fillimi deri në fund”.
Në vitin 2004, kur ndodhi cunami në Oqeanin Indian, Dej shprehu dëshirën të ndihmonte me përvojën e tij. Ai shkoi në Sri Lanka për të biseduar me organizatat e ndihmave se si mund të ndihmonte. Ata propozuan që të dërgonte para. Por Dej kishte një ide më të mirë.
“Mund të bësh një projekt të madh për dhurim biçikletash. Ndikimi do të ishte i jashtëzakonshëm. Kështu ne zgjodhëm një partner dhe së bashku ne dhuruam 24 mijë biçikleta në Sri Lanka të bëra me fuqi punëtore lokale”.
Kjo përvojë hodhi farën e një programi të quajtur Ndihma Botërore me Biçikleta. Sot theksi i programit është vënë tek Afrika Nënsahariane.
Ekspertiza e Korporatës Sram ka ndihmuar që në Zambia, për shembull, të ketë sot më shumë biçikleta dhe të trainohen më shumë njerëz për riparimin e tyre.
Zoti Dej thotë se me anë të këtij programi, në Zambia janë dërguar më shumë se 50 mijë biçikleta. Përfitimi për njerëzit ka qenë i menjëhershëm.
“Me biçikletë mund të marrësh ujë të pijshëm dhe kujsesh shëndetësor, mund të kërkosh punë më të mirë. Ajo nuk të jep ujë të pijshëm por mjetin për ta marrë atë.”
Tod Rikits është anëtar i bordit të drejtorëve në këtë organizatë. Ai thotë se vlera e vërtetë e një biçiklete, që kushton 135 dollarë në treg, e tejkalon shumë çmimin e saj.
“Kur shikon njerëzit se sa kilogram transportojnë me këto biçikleta, e kupton se po të mos e kishin atë nuk do të mund të shkonin dot në treg ose do të përpiqeshin të gjenin një mënyrë më primitive”.
Megjithëse ende ka në pronësi një pjesë të korporatës Sram, Frederik Dej e kalon pjesën më të madhe të kohës me organizatën e tij të ndihmave. Suksesi në Zambia ka hapur rrugën për nisma të ngjashme në Zimbabwe dhe Kenia.
Megjithëse ai ka arritur sukses në biznesin e tij të biçikletave, arritje më të madhe ai quan ndihmën që jep për të rritur cilësinë e jetesës për njerëzit në vendet e varfëra.
“Për mua, biçikleta më e mirë që kam parë ndonjëherë është ajo që përdor studentja që lufton për arsimin e saj ose e nënës që përpiqet të ushqejë fëmijën. Nuk ka biçikletë më të mirë se kjo”.
Përpjekjet e Dejit për të ndryshuar jetën e njerëzve në botë e kanë vënë atë në listën e gazetës Barron’s të 25 njerëzve që kanë dhënë më shumë gjatë vitit 2010.