Lidhje

Programi i presidentit Obama përballet me opozitë të fortë më 2011


Programi i presidentit Obama përballet me opozitë të fortë më 2011
Programi i presidentit Obama përballet me opozitë të fortë më 2011

Presidenti amerikan, Barak Obama bëri përparim rreth një numër çështjesh gjatë vitit 2010. Por siç thuhet në materialin në vazhdim, një numër më i madh republikanësh në Kongres do të bëjë që zoti Obama të përballet me një opozitë më të fortë vitin e ardhshëm.

Presidenti Obama arriti një numër fitoresh legjislative në vitin 2010.

Ai nënshkroi në ligj regulla më të forta për institucionet financiare, më shumë siguri përgjatë kufirit me Meksikën dhe një prej përparësive të tij kryesore të vitit: reforma themelore për mënyrën se si amerikanët paguajnë për kujdesin shëndetsor.

Por ndërsa ekonomia amerikane nuk shënoi fare përparim, mbështetja e publikut për punën e presidentit shënoi rënie.

Dhe në zgjedhjet e 2 nëntorit, votuesit u dhanë republikanëve kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe i dërguan një mesazh presidentit Obama.

Si rezultat, shumë analistë janë të një mendimi se presidenti do ta ketë më të vështirë të fitojë miratimin e ligjeve vitin e ardhshëm.

Pyetja kryesore që bëjnë njerëzit është: A do të përballemi për dy vjet me një ngërç apo do të kemi dy vjet arritje ndërpartiake”.

Demokratët dhe republikanët e shikojnë ndryshe domethënien e rezultatit të zgjedhjeve të 2 nëntorit.

Presidenti Obama e interpreton si thirrje që të dy partitë të punojnë së bashku.

“Populli amerikan nuk votoi për një ngërç. Ai nuk votoi për polemika të pafund. Elektorati amerikan po kërkon bashkëpunim dhe përparim”.

Por analistja konservatore, Amy Holmes thotë se rezultati i zgjedhjeve pasqyron një kundërshtim të politikave të presidentit Obama.

“Këto zgjedhje rezultuan në ndryshimin më të madh në përbërjen e anëtarëve të Kongresit që nga viti 1938. Votuesit thanë se nuk duan atë që ata e konsiderojnë një axhendë liberale, të majtë me një qeveri të madhe”.

Presidenti Obama përballet me një betejë të ashpër në vitin 2011 për të mbajtur në fuqi arritjen e tij kryesore të vitit 2010: miratimin e reformës në kujdesin shëndetsor.

Republikanët synojnë ta shfuqizojnë ligjin. Dhe meqë duke filluar nga janari ata do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pakicë më të madhe në Senat, nismat e presidentit për ndryshime klimatike dhe reforma e imigracionit mund të mos kenë sukses.

“Tani për tani, për mendimin tim presidenti duhet të bëjë dy gjëra: të lëvizë më në qendër dhe të përqëndrohet te ekonomia”.

Edhe analistja konservatore, Amy Holmes thotë se presidenti duhet të mbajë politikisht një qëndrim më në qendër.

“Gjatë 2 vjetëve të ardhshëm, nëse presidenti Obama lëviz në qendër, pak a shumë siç veproi ish presidenti Bill Klinton, dhe mbështet politika, ku mund të gjejë një gjuhë të përbashkët me republikanët, ai mund të arrijë gjëra të vogla”.

Një përparësi e panjoftuar është vënia e fushatën për rizgjedhje të presidentit në një fillim të sukseshëm.

Mark Penn ndihmoi presidentin Klinton të kapërcente humbjet e mëdha të vitit 1994 në mes të mandatit të tij të parë për të fituar zgjedhjet pas dy vjetësh. Zoti Penn thotë se presidenti Obama mund të bëjë të njëjtën gjë në vitin 2012.

“Nëse arrin të ulë papunësinë dhe nëse lëviz në qendër, presidenti Obama mund të arrijë me sukses të rizgjidhet pas dy vjetësh pasi ai ka një bazë të fortë përkrahësish.

Analistët Pen e Holmes si dhe shumë analistë të tjerë politikë janë të një mendimi se dy vjet në politikë janë një kohë e gjatë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë.

XS
SM
MD
LG