Lidhje

Gjykata e Apelit: Të hënën seanca për guvernatorin Fullani


Në Shqipëri Gjykata e Apelit njoftoi sot se seanca ndaj guvernatorit të Bankës Qendrore Ardian Fullani, i cili kundërshton masën e arrestit, do të zhvillohet të hënën e ardhshme.
Seanca ndaj zotit Fullani, i arrestuar të premten e shkuar në kuadër të hetimeve të prokurorisë për skandalin e vjedhjes së afër 7 milion dollarëve, do të drejtohet nga kryetari Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj. Zoti Fullani akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”. Avokati i tij e ka konsideruar të jashtëligjshëm arrestimin, jo vetëm nga pikëpamja e procedurës por edhe e akuzave të ngritura ndaj tij. Sipas avokatit Maks Haxhia, ato përbëjnë shkelje administrative dhe jo penale.
Ndaj arrestimit të zotit Fullani pati sot një reagim të ashpër të partisë demokratike. Si kryetari i saj Lulzim Basha ashtu dhe ish kryeministri Sali Berisha folën për një veprim me prapavijë politike, me synim kapjen e drejtimit të Bankës nga shumica në pushtet, thanë ata. Madje zoti Berisha e cilësoi arrestimin një akt stalinist.
Pas arrestimit, Këshilli Mbikqyrës i Bankës propozoi shkarkimin e zotit Fullani. Vendimi përfundimtar pritet të merret të enjten e ardhshme nga parlamenti, i cili do të votojë edhe për propozimin për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, edhe kjo e arrestuar. Pas kësaj parashikohet që të nisin procedurat për zëvendësimin e vendeve të mbetura Bosh në Këshillin Mbikqyrës e më pas të vijohet me emërimin e guvernatorit të ri.
XS
SM
MD
LG