Në Shqipëri, Partia Demokratike dorëzoi vetëm sot në paradite listën e plotë të kandidatëve me të cilët ajo do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 Qershorit.
Lista e parë që ajo coi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pak pas mesnatës së 26 Qershorit që ishte përcaktuar si afati i fundit, kishte pak më shumë se 90 emra, nga 140 kandidatët që duhen për në parlament.
KQZ u detyrua të shtynte disa herë afatin e pranimit të listës së plotë, ndërkohë që gjatë dy ditëve të fundit disa prej emrave të caktuar nga zoti Basha deklaruan tërheqjen. Lista e dorëzuar sot përmbante 54 emra më shumë, si dhe ndryshime në renditje të kandidatëve në disa qarqe.
Me dorëzimin e emrave të kandidatëve të opozitës, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi në limitet kohore fletën e votimit për zgjedhjet, në të cilat përfundimisht do të marrin pjesë vetëm 18 forca politike.
Facebook Forum