Lidhje

Arrihet marrëveshja PD-PS për reformën zgjedhore


Demokratët dhe socialistët kanë rënë dakort për pikat e nxehta, që deri tani kishin mbajtur të bllokuar përmbylljen e reformës.

Në Shqipëri demokratët dhe socialistët kanë arritur marrëveshje për reformën zgjedhore, duke rënë dakort edhe për pikat e nxehta që deri tani kishin mbajtur të bllokuar përmbylljen e saj. Në limitet e afatit shtesë të mandatit që ju dha Komisionit të Reformës nga parlamenti në fund të muajit të shkuar, palët pritet të zyrtarizojnë pasdite marrëveshjen, e cila i jep zgjidhje si problemit të rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ashtu dhe problemit të procedurave ankimore e përdorimit të teknologjive të reja.
Ҫështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë dhe më e debatuara, veҫanërisht për shkak të kritikave të drejtpërdrejta që opozita ka patur ndaj kryetarit Arben Ristani.









Ky institucion do të rikompozohet në shtator dhe në kodin e ri për këtë do të parashikohet edhe një dispozitë tranzitore. Përsa i përket përbërjes së tij, ai do të ruajë formulën e një përfaqesimi politik por të ndarë në mënyrë të barabartë mes palëve që do të kenë nga tre anëtarë. E reja ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarit të shtatë, kryetarit, i cili do të emërohet përmes një konkursi të hapur, ku
ҫdokush mund të ofrohet. Do të jetë Komisioni i Ligjeve ai i cili do të përzgjedhë me shumicë të cilësuar, pra domosdoshmërisht me konsensus mes palëve, dy nga kandidaturat që do i paraqiten më pas Parlamentit për votim.
Sa i përket procedurave për verifikimin e materialeve zgjedhore, është rënë dakort me propozimin e socialistëve, që t’i njihet e drejta e kërkesës dy anëtarëve të Komisionit në rast të provave apo fakteve, përcaktimi i detajuar i të cilave, këtë herë, është përfshirë në kod.
Po ashtu palët kanë rënë dakort për zbatimin e teknologjisë në procesin zgjedhor. Ekspertët e Odihr-it kishin sugjeruar të nisej me një projekt pilot dhe palët kanë vendosur që në Tiranë, zona me e madhe zgjedhore e vendit, të zbatohet identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa në Fier, një tjetër nga zonat më të mëdha elektorale, të zbatohet numërimi elektronik.
Me marrëveshjen e sotme, Shqipëria përmbush një nga kërkesat kyce të Komisionit europian, përfaqësues të të cilit kanë qenë mjaft aktiv, vecanërisht ditët e fundit, duke nxitur përmbylljen e reformës. Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Stefano Sannino ka patur kontakte të shpeshta me përfaqësuesit e të dy palëve, dhe ka biseduar gjatë për këtë cështje edhe me kryeministrin Sali Berisha, në fundjavë, gjatë takimit të Dubrovnikut.
XS
SM
MD
LG