Lidhje

Një aksident vdekjeprurës ringjall çështjen e sigurisë rrugore në Shqipëri


Një aksident vdekjeprurës ringjall çështjen e sigurisë rrugore në Shqipëri
Një aksident vdekjeprurës ringjall çështjen e sigurisë rrugore në Shqipëri

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmë në një zonë në afërsi të qytetit të Gjirokastrës ku nga përplasja e dy automjeteve humbën jetën pesë persona dhe u plagos një tjetër. Policia e Gjirokastrës tha se shkak i aksidentit ishte dalja nga kontrolli prej shpejtësisë së lartë të njërit prej mjeteve, shoferi i të cilit humbi jetën.

Aksidenti, ndër më të rëndit e këtyre viteve të fundit në Jug të Shqipërisë për nga numri i viktimave, ka rikthyer në opinion cështjen e sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve.

Të dhënat policore thonë se vetëm këtë vit në Qarkun e Gjirokastrës kanë humbur jetën në aksidente nëntë persona. Statistikat flasin per rritje të aksidenteve jo vetëm në rrugët urbane, por së fundi edhe në zonat rurale.

Fillimi i reshjeve dhe situata problematike në disa prej segmenteve rrugore në zonat jugore të Shqipërisë për shkak të punimeve në infrastrukture i ka shtuar vështirësitë e lëvizjes rrugore dhe rrjedhimisht edhe rreziqet për aksidentet. Si edhe një vit më parë në rajon shirat e parë kanë sjellë rrëshqitjet e para të dherave dhe dëmtime të rrugëve kombëtare dhe rurale.

Erozioni i lartë i ka bërë, pa filluar ende stina e dimrit, disa nga segmentet të vështira për t’u qarkulluar. Po kështu punimet për superstradën që lidh Tepelenën me Mallakastrën kanë rritur vështirësitë për lëvizjen e mjeteve në këtë aks rrugor i cili përballon edhe lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt kufrit me Greqinë.

Autoritetet e rrugëve thonë se janë në gjendje të përdorin fonde të emergjencës për mirëmbajtje të rrugëve, ndërkohë që disa prej kompanive te ndërtimit janë vënë në kritika nga publiku për mosrespektimin e kontratave. Ndonëse ligji i detyron investitorët që gjatë kohës së investimit të mirëmbajnë dhe të bëjnë të mundur lëvizjen normale të mjeteve në mjaft prej segmenteve rrugore ku kryhen punime vihet re moszhvillimi i këtyre përgjegjësive.

Prefektura e Gjirokastrës njoftoi se do të ngrejë një grup të posaçëm për analizimin e situatës së rrugëve ndërkohë që nga organet vendore në rajon ka pak investime në përmirësimet vecanërisht të sinjalistikës rrugore. Hedhja e hapave të koordinuar që tani në rritjen e sigurisë rrugore dhe mbajtjen e rrugëve të kalueshme do të bënte më të lehtë përballimin e situatave të pritshme prej përkeqësimit të motit.

XS
SM
MD
LG