Dukuri të reja të kultivimit të narkotikëve vijojnë të shfaqen në Shqipëri. Policia e Gjirokastrës zbuloi katër vatra të mbjella me bimë marijuane në vijën e kufirit me Greqinë, në afërsi të Pikës kufitare të Kakavijës.
Një nga zonat më të mbikqyrura nga Policia kufitare si shqiptare dhe greke, sidomos për trafikun e refugjatëve, është kthyer në sipërfaqe për kultivim marijuane.
Policia e Gjiokastrës tha se shkatërroi mbi 1600 bimë dhe po vijon operacionin në këtë zonë. Policia njoftoi operacione ndaj kultivuesve edhe në Shkodër, Lezhë, Krujë dhe Vlorë ku u shkatërruan rreth 6 mijë bimë narkotike.
Modeli i kultivimit të marijuanës në Lazarat gjatë viteve të shkuara është përhapur këtë vit në të gjithë vendin. Ky model rrezikon sipas analistëve të kthejë vëmendjen e fermerëve në mjaft zona nga kjo ekonomi kriminale.
Analistët vlerësojnë se kultivimi marijuanës do të prodhonte një efekt zinxhir si atë të braktisjes së tokës, blektorisë dhe ekonomive të vogla në zonat rurale. Tek komunitete e banorëve po rritet gjithashtu shqetësimi se grupe kriminale merren me këtë aktivitet në mjaft zona.
Policia dyshon se shumë nga vatrat e mbjella me marijuanë në zona të thella u përkasin rrjeteve kriminale që paguajnë për shërbimet banorë të zonës dhe më pas organizojnë grumbullimin dhe transportimin e bimës narkotike drejt Italisë dhe Greqisë.
Marijuana është aktualisht në fazën e pjekjes dhe policisë i mbeten edhe pak javë për të luftuar këtë dukuri. Organet e reja vendore që dolën nga zgjedhjet e 21 Qershorit duket se po bashkëpunojnë shume pak me policinë,ndonëse administratorët e rinj vendorë janë emëruar dhe e kanë detyrim ligjor informimin nëse në zonat e tyre mbillet marijuanë.