Një operacion i përbashkët policor mes policisë shqiptare dhe asaj belge dhe i zhvilluar njëkohësisht gjate paradites së sotme në Shkodër dhe në Luevenit të Belgjikës, ka përfunduar me arrestimin e 15 personave, 13 prej të cilëve shqiptarë.
Ata akuzohen si pjesë e një grupi të mirëorganizuar kriminal, që vepronte në Belgjikë dhe që e kishte përqendruar veprimtarinë e tij kriminale në vjedhjet dhe grabitjet me dhunë.
Gjatë paradites së sotme, forcat speciale Renea dhe ato të Ndërhyrjes së shpejtë kontrolluan disa banesa në lagjen Dudas të qytetit të Shkodrës dhe në mjedise të tjera publike të qytetit dhe rrethinave, ku dyshohej se kishin pronat e tyre anëtarët e grupit kriminal dhe familjarët e tyre.
Gjatë këtyre kontrolleve policia sekuestroi 150 mijë euro, 50 orë të markave më të njohura, bizhuteri të shumta, 4 armë automatike, 2 pistoleta, një pushkë si dhe tre automjete luksoze dhe dy motorë.
Operacioni i sotëm, që solli në shkatërrimin e këtij grupi kriminal, është edhe më i rëndësishmi, që policitë e të dy vendeve kanë zhvilluar në luftën kundër krimit të organizuar.