Lidhje

Shqipëri, vazhdon ngërçi për reformën e drejtësisë


Në Shqipëri, vazhdon ngërçi lidhur me rolin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Kryeministri Edi Rama ftoi sot kreun e opozitës Lulzim Basha të tërhiqej nga propozimi i tij i kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtar

Në një letër të hapur drejtuar zotit Basha përmes një postimi në Facebook, kryeministri rendit pasojat që vendi do të kishte në rast të dështimit të Reformës në Drejtësi, e cila është parashikuar për votim në parlament të enjten e ardhshme.

Letra vjen një ditë pas ftesës që ambasadori amerikan Donald Lu i drejtoi dy udhëheqësve shqiptarë që të takoheshin për të gjetur një zgjidhje. Në fund të tekstit, zoti Rama shprehet se është i gatshëm të mbështesë “pa asnjë vërejtje, çdo propozim të opozitës, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi”, shkruan ai, duke saktësuar se propozimi i opozitës duhet të jetë i pranueshëm për aleatët strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Në përgjigjen e tij zoti Basha e cilësoi manovër politike letrën e kryeministrit, duke saktësuar se propozimi i opozitës “bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias, të cilat PD dhe PS i kanë pranuar si udhërrëfyesin e vetëm”, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve për këtë propozim.

Por dje ambasadori amerikan e quajti “të papranueshëm propozimin e zotit Basha” duke shpjeguar se ishte dhe një thyerje e zotimit të tij ndaj ambasadores Nuland”. Për këtë arsye edhe zoti Rama, shprehej se mbetej në pritje të “një reagimi konstruktiv”, - thekson ai në letrën e tij.

XS
SM
MD
LG