Lidhje

Sarkozi: I tronditur nga kritikat e ashpra ndaj deportimit të romëve


Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se është "thellësisht" i tronditur nga kritikat e ashpra ndaj deportimit të romëve nga vendi i tij dhe se Franca do të vazhdojë të prishë kampet e romëve.

Zoti Sarkozi i bëri komentet sfiduese sot mes kritikave në rritje ndaj politikës së qeverisë së tij. Kjo temë la në hije takimin e nivelit të lartë që ishte organizuar për të diskutuar çështje ekonomike.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Drejtësinë Vivianë Reding dhe zoti Sarkozi kanë ditë që shkëmbejnë replika të ashpra lidhur me dëbimet, për të cilat zonja Reding kishte thënë se kishin ngjyrimet e deportimeve naziste.

Megjithëse ajo u tërhoq nga kritikat e ashpra sot, zonja Reding ka vazhduar të denoncojë qeverinë franceze dhe t’u qëndrojë deklaratave të mëparshme se Parisi mund të përballet me veprime disiplinare të Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit francezë kanë reaguar ndaj kritikave duke i quajtur të papranueshme. Presidenti Sarkozi e ka cilësuar prishjen e kampeve rome dhe dëbimin e tyre si pjesë e masave ndaj krimit.

ÇËSHTJA MBIZOTËRON TAKIMIN

Çështja e deportimit të romëve nga Franca mbizotëroi hapjen e takimit të Bashkimit Evropian sot, megjithëse kjo çështje nuk ishte pjesë e programit zyrtar.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit në Bruksel, presidenti i parlamentit evropian Jerzi Buzek përsëriti kërkesën e tij që çështja e romëve të diskutohet në kuadrin e përjashtimeve në baza shoqërore dhe ekonomike.

“Ky është një problem serioz për të gjithë Bashkimin Evropian. Ne nuk duam të krijojmë tensione në komunitetet tona dhe në kontinentin tonë, sepse kjo do të ishte e rrezikshme,” tha Buzek.

Franca i ka mbrojtur me zemërim veprimet e saj. Megjithatë, BE-ja e ka lënë hapur mundësinë që ta dërgojë Francën në gjyq për këtë çështje.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi, i cili ka udhëhequr masat e Francës për dëbimin e romëve, nuk bëri ndonjë koment kur mbërriti në takim. Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se dëbimet synojnë të luftojnë krimin dhe imigracionin e paligjshëm.

Por Komisionerja e Drejtësisë në Bashkimin Evropian, Vivien Reding, i dënoi veprimet e Francës dhe kërcënoi se do ta çonte vendin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për shkeljen e rregullave të përbashkëta të BE-së.

Dëbimet kanë nxitur kritika edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Vatikani.

Dëbimi nga Franca i një mijë romëve kryesisht në Rumani dhe prishja e 100 kampeve të tyre ka ngjallur kujtimet e armiqësive historike në Evropë, të cilat blloku 27-anëtarësh synonte t’i tejkalonte.

Kjo mosmarrëveshje kërcënon të minojë përpjekjet e Bashkimit Evropian për të paraqitur një politikë të bashkuar të jashtme dhe ekonomike, e cila është edhe tema kryesore e këtij takimi.

XS
SM
MD
LG