Lidhje

65 vjet pas Gjyqeve të Nurembergut mbi krimet e Nazizmit


65 vjet pas Gjyqeve të Nurembergut mbi krimet e Nazizmit
65 vjet pas Gjyqeve të Nurembergut mbi krimet e Nazizmit

Kanë kaluar 65 vjet që nga koha kur filluan gjyqet e Nurembergut kundër oficerëve nazistë. Me nota tepër të qarta, gjatë punimeve të këtyre gjyqeve në Bavari, u dëgjuan tmerret e shkaktuara nga oficerë si Herman Gering, Rudolf Hes apo Albert Spir ndaj miliona hebrenjve, homoseksualëve dhe të burgosurve politikë e fetarë në kampet e vdekjes. Në këtë përvjetor bota kujton vuajtjet që përjetuan ata që u dergjën burgjeve dhe drejtësinë që u përpoqën të vënë në vend Gjyqet e Nurembergut:
Pamjet e xhiruara në kampet e vdekjes tronditën botën. Regjistrime lajmesh, që u publikuan në atë kohë, nxorrën në dritë se ç’kishte ndodhur në kampet e përqëndrimit.

“Kampi më i tmerrshëm ishte Bukenvali, ku vetëm 20 mijë nga 80 mijë të burgosurit e dërguar u gjetën gjallë. Pjesa më e madhe e atyre që ende jetonin kur kampin e morën nën kontroll amerikanët, ishin në gjendje të pa shpresë”.

Gjermanët këmbëngulnin se nuk kishin pasur dijeni dhe se ishin po aq të tronditur sa kushdo tjetër kur mësuan për tmerret e nazizmit. Por jo të gjithë janë të bindur për pafajësinë e tyre. George Bria ishte gazetar për agjencinë e lajmeve Associated Press:

“Kampi Dakau ishte jo larg Mynihut, por të gjithë thonë se nuk dinin gjë! Jo larg tyre ishin furrat e djegies. Askush nuk e beson se ata nuk kishin dijeni”.

Tronditja publike nga pamjet dhe rrëfimet e të mbijetuarve çoi në thirrje masive për drejtësi dhe shpagim. Zgjidhja që u gjet ishte organizimi i gjyqeve për krime lufte në Nuremberg:

“Në qytetin e shkatërruar të Nurembergut, të rrënuar nga tonelatat e bombave të trupave aleate, gjykata qëndron si një monument ogurzi i shpresave të fundit të nazistëve për të dominuar botën”.

Vendet aleate: Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Rusia dërguan prokurorë. Sistemi ligjor në bazë të të cilit do të zhvilloheshin gjyqet, ishte një ndërthurje e sistemeve të këtyre vendeve.
Babai i senatorit amerikan Kris Dod, Thomas Dod ishte një ndër prokurorët amerikanë në gjykime. Ai ishte një jurist i ri në vitin 1945 kur shkoi në Gjermani për të marrë në pyetje figura famëkeqe si Herman Goring, Albert Spir apo Rudolf Hes.
Në vitin 2007, Senatori Dod publikoi një libër bazuar në letrat që i kishte dërguar familjes babai i tij, gjatë kohës kur vazhdonte gjyqi:

“30 mijë vetë ende ishin të varrosur nën rrënojat e Nurembergut, kur filluan gjykimet. 30 mijë vetë – veç ta imagjinosh erën e rëndë. 8 milion trupa ishin djegur, 6 milionë prej tyre hebrenj, të tjerët si rezultat i orientimit seksual, besimit fetar apo bindjeve politike”.

21 oficerë të lartë gjermanë, përfshirë Joakim von Ribentrop dhe Albert Spir, të dy bashkëpunëtorë të afërt të Hitlerit, u gjykuan dhe u shpallën fajtorë për krime lufte në gjyqet e Nurembergut.
Thomas Dod, në kujtimet e tij e analizon procesin si triumfi i sundimit të ligjit, ku vendet e qytetëruara realizuan një proces të drejtë për autorët e masakrave që kishin vepruar pa asnjë përfillje për ligjin.
Gjyqet e Nurembergut krijuan një praktikë të re të nxjerrjes para drejtësisë të udhëheqësve qeveritarë dhe mbajtjen e tyre përgjegjës në mënyrë individuale për krime të kryera kundër masave të pafajshme.
Këto gjyqe krijuan edhe konceptin e krimeve kundër paqes, e aktit penal të agresionit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Pati plot njerëz që e dënuan procesin si një farsë politike, por gazetari George Bria i agjencisë Associated Press, thotë se duke pasur parasysh rrethanat dhe momentin e procesit, gjykimet mund të konsiderohen të drejta.
Historiani gjerman Hans Kristian Taeubrich thotë se gjyqet ishin shumë të rëndësishme për opinionin gjerman, pasi i ndihmuan gjermanët të ballafaqohen me krimet e kryera në emër të tyre:

“Gjyqet e Nurembergut janë të rëndësishme për 3 arsye: së pari ato sollën para drejtësisë figura të larta të regjimit nazist, të cilat ishin përgjegjëse për krime të paimagjinueshme lufte. Vetëm disfata e plotë dhe gjykimi ndërkombëtar arriti t’u japë atyre ndëshkimin e duhur. Së dyti, si rezultat i gjyqeve, bota dëgjoi për herët të parë çfarë kishte ndodhur gjatë 12 vjetëve të regjimit nazist. Gjyqet ndihmuan gjithashtu Gjermaninë të ballafaqohet me aktet që ishin kryer. Ky proces ballafaqimi ende vazhdon”.

Gjyqet e Nurembergut u zhvilluan nga data 20 nëntor 1945 deri më 1 tetor 1946.

XS
SM
MD
LG