Lidhje

Rusia e hapur për investime pas rënies ekonomike


Rusia e hapur për investime pas rënies ekonomike
Rusia e hapur për investime pas rënies ekonomike

Rusia është e hapur përsëri për investitorë të huaj, duke pritur vizitorë si guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarznegger dhe duke punuar për të hyrë në Organizatën Botërore të Tregëtisë vitin e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke njofton nga Moska për përpjekjet e Rusisë për t’iu bashkuar komunitetit global të investimeve.
Ndërtesat me zyra të zbrazta në Moskë janë treguesit e rënies ekonomike që pësoi Rusia vitin e kaluar.
Mëkëmbja këtë vit është anemike ndërsa Rusia po rritet sa gjysma e nivelit në Kinë, Indi dhe Brazil.

Kjo ishte në mendjet e pjesëmarrësve në një konferencë investimesh në Moskë, përfshi ish ambasadorin britanik në Rusi Tony Brenton, tani këshilltar për kompaninë Lloyds Insurance.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se Rusia pati vërtet një recesion të vështirë. Ekonomia u ul me gati 9 përqind. Autoritetet ruse pretendojnë të kenë nxjerrë mësime nga kjo gjendje.”

Shumë investitorë të huaj e konsiderojnë Rusinë të rrezikshme për të bërë biznes. Por Kremlini shpreson t’i zbusë këto shqetësime duke iu bashkuar më në fund Organizatës Botërore të Tregëtisë pas gjati dy dekadash vonesë.
Andrew Somers është president i Dhomës Amerikane të Tregëtisë në Rusi.

“Ndoshta kur Rusia të hyjë në OBT, që presim të ndodh pranverën e ardhëshme, do të marrë një lloj miratimi nga bota se është mirë të investosh këtu. Pra ka një ndarje mes atyre që kanë qënë këtu dhe e kuptojnë se mund të fuqizohen dhe atyre që nuk e kanë parë ende Rusinë.”

Guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger dhe një ekip investitorësh amerikanë e panë nga afër Rusinë së fundmi, duke i kthyer vizitën presidentit rus Dmitry Medvedev i cili ishte në Silicon Valley këtë vit. Guvernatori Schwarzenegger e quajti Rusinë një minierë ari për nga mundësitë ekonomike.

“Është mahnitëse. Ka kaq shumë mundësi këtu në Rusi. E sheh dhe thua – O Zot. Është si të shohësh një minierë ari apo diamanti dhe e vetmja gjë që duhet të bësh është të shkosh dhe ta marrësh.”

Por megjithë mbështetje të tilla nga figura të njohura, dhe një program privatizimi pesë vjeçar prej 50 miliardë dollarësh, shumë kompani në Rusi janë ende nën kontrollin e shtetit.

Përsëri ish ambasadori britanik Tony Brenton.

“Mendoj se investitorët do të kërkojnë garanci dhe do të kërkojnë të kuptojnë se si do të funksionojnë këto kompani shtetërore dhe si do të privatizohen ato, pasi ka disa kompani shtetërore jo shumë të efektshme.”

Një rrezik tjetër është korrupsioni i lartë. Alexander Lebedev, një nga aksionerët më të mëdhenj të Aeroflotit, ka ngritur akuza se rivalët e biznesit paguan policinë për të bastisur bankën e tij kohët e fundit.
Organizata globale Tranparency International e rradhit Rusinë të 154-ën nga 178 vendet duke e vënë atë ndër vendet më të korruptuara në Evropë.
Elena Panfilova është përfaqësuese e grupit në Rusi.

“Do ta quaja këtë prirje si stabilizim të korrupsionit. Megjithë këto vështirësi, disa kompani të huaja janë të kënaqura. Brenda tre vjetësh, Rusia pritet të ketë tregun më të madh të makinave në Evropë.”

Kompania jugkoreane e makinave Hyndai hapi një fabrikë në Rusi.
Kompania franceze Renault po kërkon të dyfishojë investimin në një kompani shtetërore për prodhimin e makinave.
Andrew Cranston, është partner në firmën KPMG që ka punuar në Rusi për 15 vjet.

“Jam i sigurtë se do të ketë emra të rinj që do të vijnë por vendimi për të ardhur në Rusi nuk është zakonisht i shpejtë.”

Kur investitorët amerikanë vijnë këtu ata provojnë gjithnjë e më pak shok kulturor. Starbucksi po shumëfishohet në mbarë Moskën. Miller sapo hapi një fabrikë birre. Hotelet Hilton dhe Holiday Inns kanë njoftuar planet për t’u zgjeruar në Rusi.

XS
SM
MD
LG