Lidhje

Vjedhja e Bankës, 6 arrestime të reja


Në Tiranë 6 persona u arrestuan për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Pesë nga të arrestuarit janë punonjës të Bankës, ndërsa i gjashti është një afërm i Ardian Bitrajt, përgjegjës i arkës stok në Bankë dhe personi i cili ka pranuar se për katër vite me radhë ka vjedhur në mënyrë periodike një shumë parashë të barasvlefshme me afër 7 milion dollarë.

Arrestimet e reja nën akuzën “shpërdorim detyre” janë bërë pasi 5 punonjësit e Bankës dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë krijuar mundësinë për vjedhje. Në pranga ka përfunduar Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, në Departamentin e Emisionit, si dhe specialistja nën varësin e tij Liljana Tusha. Detyra e punonjësve të arkës në veprim është të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikqyrës. Nga hetimet ka rezultuar se ky rakordim nuk është kryer si duhet, madje dyshohet se nuk është kryer për një kohë të gjatë.

Të arrestuar janë edhe dy vartës të Bitrajt, specialistë të arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, detyra e të cilëve është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Gjithashtu, për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për secilin punonjës, por që në të vërtetë janë mbajtur nga Bitraj, i cili shpesh as që i ka futur në kasafortë sic parashikon rregullorja e Bankës.

Punonjësi i pestë i Bankës i arrestuar mbrëmë, është Dhimitër Davidi, vëzhgues operator pranë departamentit të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Nga kontrolli i pamjeve filmike ka rezultuar se ai ka parë veprimet e Bitrajt, i cili mbushte thasë plastikë me kartmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar.

XS
SM
MD
LG