Lidhje

Ditë e qetë pas përleshjeve në Prishtinë


Kosova, Prishtina
Kosova, Prishtina

Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetime pas përleshjeve mbrëmë ndërmjet veprimtarëve të lëvizjes Vetëvendosje dhe policisë.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë veprimtarët e Vetëvendosjes, që u hodhën në protesta pas ndalimit të deputetit të tyre Albin Kurti, i cili u lirua pas mesnatës.

Zoti Kurti u ndalua mbrëmë pas zhvillimeve të javës së kaluar në parlamentin e Kosovës, ku ai hodhi gaz lotsjellës për të penguar seancën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë.

Ditë e qetë pas përleshjeve në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Lëvizja Vetëvendosje tha se disa veprimtarë të saj janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë e cila u përpoq të shpërndajë protestuesit që hodhën gurë mbi stacionin e policisë në Prishtinë, ku mbahej zoti Kurti. Policia tha se 14 pjesëtarë të saj janë lënduar.

Disa makinave u është vënë zjarri, ndërsa kontejnerë mbeturinash janë përdorur si barrikada nga protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje të cilëve iu bashkuan edhe përfaqësues të partive tjera opozitare. Ata akuzuan policinë për "rrëmbimin e zotit Kurti", siç e cilësuan ata.

Prokuroria e Shtetit bëri të ditur sot se ndalimi i Albin Kurtit ka qenë pjesë e hetimeve kundër deputetëve të parlamentit ë Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimi i armës. Në një njoftim të prokurorisë thuhet se "në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe marrja në pyetje e deputetëve të dyshuar".

Ngjarjet e mbrëmshme u dënuan nga qeveria e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate thotë se “aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenojnë rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”. Komunikata e qeverisë u bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit.

OPOZITA DHE PARLAMENTI

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha. Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, thanë të premten se “shteti është në rrezik”.

Drejtuesit e institucioneve vendase dhe ambasadat euro-perëndimore kanë dënuar veprimet e opozitës duke i bërë thirrje asaj që të heqë dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

XS
SM
MD
LG