Lidhje

Koalicioni intensifikon goditjet kundër objektivave libiane


Koalicioni intensifikon goditjet kundër objektivave libiane
Koalicioni intensifikon goditjet kundër objektivave libiane

Ushtria amerikane njoftoi se koalicioni shumëkombësh që po zbaton zonën e ndalim fluturimeve mbi Libi kreu sulme të tjera me 12 raketa kruzë kundër objektivave ushtarake libiane.


Zyrtarë të ushtrisë amerikane thanë sot se sulmet me raketa u kryen të dielën gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një zyrtar amerikan tha gjithashtu se një sulm ajror britanik kundër kompleksit në Tripoli të udhëheqësit libian, Moamar Gadafit dje vonë kishte në shënjestër "aftësinë e komandës ushtarake".

Sulmi dëmtoi rëndë një ndërtesë brënda kompleksit. Nuk pati njoftime për viktima.

Shtetet e Bashkuara po i zhvillojnë sulmet me Britaninë, Francën dhe aleatët e tjerë për të zbatuar zonën e ndalim fluturimit të vendosur nga OKB-ja. Vendosja e ndalim fluturimit synon mbrojtjen e civilëve libianë nga sulmet e forcave të Gadafit. Nuk pati njoftime për sulme të tjera ajrore sot.

Kryeministri britanik, David Cameron tha sot në parlamentin e vendit se koalicioni ka "neutralizuar" mbrojtjen ajrore të Libisë dhe ka bërë "përparim të mirë" në arritjen e objektivit të tij për të mbrojtur civilët.

Kryengritësit libianë, të cilët po përpiqen t’i japin fund sundimit 42 vjeçar të Gadafit, përfituan nga sulmet e koalicionit ndërkombëtar kundër objektivave ushtarake të qeverisë libiane, duke përparuar në territore, që i humbën gjatë ofensivës së forcave qeveritare në 10 ditët e fundit.

Pasi u rigrupuan sot, kryengritësit hynë në qytetin Adjabiya, duke sulmuar trupat besnike të udhëheqësit libian, Moamar Gadafi.

Por burimet e opozitës në Misrata thanë se trupat qeveritare vazhdojnë të sulmojnë qytetin nga periferia. Thuhet se ata po përdorin civilët si mburojë kundër çdo sulmi nga forcat e huaja.

XS
SM
MD
LG