Lidhje

Tiranë: Lufta anti-narkotikëve; polemika mbi rezultatet


Në Tiranë, policia hodhi poshtë akuzat e opozitës për pjesëmarrje të zyrtarëve të saj në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike.

Lufta anti-droge
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

Altin Qato, një drejtues i lartë i policisë, thotë se këtë verë janë shkatërruar tre herë më shumë bimë narkotike se viti i kaluar.

Megjithatë, mungojnë arrestime të organizatorëve të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Sipas një raporti të OKB-së, Shqipëria është një nga prodhueset e mëdha të narkotikëve në botë.

Policia shqiptare thotë se po i rrit rezultatet në luftën kundër bimëve narkotike, megjithë akuzat e opozitës se drejtues policie janë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e tyre.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato, policia ka kryer gjatë muajve të verës mbi 600 operacione me mbi 800 vepra penale, u goditën mbi 220 raste kultivimi më shumë se një vit më parë, dhe u asgjësuan rreth 1 milionë e 200 mijë bimë narkotike, ose 3 herë më shumë se viti i kaluar.

Megjithë statistikat e policisë në goditjen e parcelave me narkotikë, mungojnë arrestimet e organizatorëve të trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike.

“Ne pretendojmë se nuk ka një organizim të mirëfilltë dhe se grupet kriminale e organizojnë gjithë këtë aktivitet kriminal. Ka raste që edhe mund të ketë, por në mënyrë të përditshme ne i prezantojmë goditjet tona. Edhe ata që kapen realisht në trafikim kanë të bëjnë me këtë aktivitet, se kultivojnë dhe më pas trafikojnë. Të gjithë grupet që goditen kanë lidhje me këtë aktivitet. Pra, nuk është se nuk goditen krerët, si thoni ju, sepse gjatë gjithë periudhës policia prezanton goditjet e grupeve kriminale që merren me trafikun e bimëve narkotike” - tha drejtori i përgjithshëm i policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato.

Parti Demokratike e opozitës deklaroi sot se bimët narkotike po kultivohen në çdo krahinë dhe drejtues policie në qytetet më të mëdha të vendit janë të përfshirë në ruajtjen dhe trafikimin e drogës.

PD iu referua një raporti të shteteve partnere, i cili, sipas saj, provon denoncimet e përditshme të opozitës mbi kultivimin e drogës në vend.

“Kanabizimi i vendit po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon burimet dhe asetet e vendit dhe po sjell krime e vrasje. Nga ky biznes kriminal përfitojnë vetëm bandat, drejtuesit e Edi Ramës në polici dhe sigurisht vet ai, në krye të skemës së 30 përqindëshit” - tha sot Enkelejd Alibeaj, drejtues i departamentit të rendit dhe sigurisë në Partinë Demokratike.

Por zoti Qato hodhi poshtë si të pavërteta deklarimet e opozitës për përzjerje të drejtuesve policorë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike.

Këtë vit, sipas tij, u shtua goditja e bimëve narkotike brenda vendit dhe u ulën rastet e kapjes së trafiqeve nga policia e vendeve europiane.

Ai thotë se në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane dhe Interforca, policia e njeh dhe e kontrollon më mirë territorin.

Zoti Qato tha se sivjet nuk ka më shumë kultivim, por ka më shumë goditje të bimëve narkotike, madje, sipas tij, ka edhe një perceptim të gabuar sa i takon shtrirjes së kultivimit në territor.

“Dikur policia përqëndrohej vetëm në zona të pakalueshme si në Lazarat, Malësi të Madhe. Ndërsa tani e ka kapërcyer këtë prej dy vjetësh dhe po e kontrollon më mirë territorin. Dy vjet më parë policia dhe opinioni fokusohej në 2-3 zona të paprekshme. Tani nuk ka zona të paprekshme dhe perceptimi është se ka shtrirje, po jo se ka shtrirje” - tha zoti Qato.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) publikoi në korrik një raport, sipas të cilit Shqipëria është një ndër vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në botë.

Sipas të dhënave të raportit, të mbledhura në vitin 2014, Shqipëria është burim i rëndësishëm i kanabisit në tregjet ndërkombëtare, së bashku me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguajin.

Po sipas raportit të OKB-së, fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave prej Shqipërisë janë sa 2.6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto të saj, duke lënë pas vende më të zhvilluara se ajo.

XS
SM
MD
LG