Lidhje

Ambasadori Rajerson: Mbresa ime nga Shqipëria, dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara


Ambasadori Rajerson: Mbresa ime nga Shqipëria, dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara
Ambasadori Rajerson: Mbresa ime nga Shqipëria, dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara

Disa muaj pas fillimit të lëvizjes demokratike, në Shqipëri shkoi përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në vend, më pas ambasadori i parë amerikan pas komunizmit, William Ryerson. Në një bisedë me kolegen Laura Konda zoti Ryerson flet për disa nga momentet që i kanë lënë atij mbresë gjatë qëndrimit në Shqipëri në vitet 1991-1994. Ai thotë se Shqipëria ka bërë shumë përparim që atëherë dhe komenton mbi tranzicionin e vështirë nëpër të cilin ka kaluar vendi:

Zëri i Amerikës: Si u pritën në Shtetet e Bashkuara fillimet e lëvizjes demokratike të Shqipërisë 20 vjet më parë?

Ambasador William Ryerson: Nuk besoj se ato u vunë re nga shumë njerëz, përveçse në Departamentin e Shtetit, ku njerëzit interesohehsin më tepër për Ballkanin në përgjithësi. Dihej shumë pak për Shqpërinë, ajo ishte si një pikë e bardhë në hartë. Dhe e kam thënë edhe më parë, se përsa i përket politikës së jashtme amerikane, Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie; në se Shqipëria do të ishte zhdukur në valët e detit ndoshta do të shqetësoheshin; ndoshta vetëm si një vend në kufi me Kosovën. Kjo është e pakëndshme të thuhet, por është e vërtetë. Në marrëdhëniet tona me jashtë Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie.

Zëri i Amerikës: Ju shkuat fillimisht në Shqipëri në prill të vitit 1991, në një kohë të vështirë, cilat ishin përshtypjet e para që patët?

Ambasador William Ryerson: Unë shkova fillimisht për një mision 30-60 ditësh, me funksionin e pranisë amerikane atje. Pas asaj që ndodhi më 2 prill në Shkodër, fillimisht unë u trondita nga masakra, pastaj nga varfëria, nga pisllëku, njerëz të veshur keq, të paushqyer mirë. Kujtoj një ushtar të ri, të gjatë, që ecte në bulevard dhe që kishte një pallto që nuk ishte për trupin e tij, me palën të grisur. Pashë një vetëshërbim afër sheshit Skënderbej dhe mendova, “Ndoshta mund të shkoj e të ha mëngjes”. U afrova dhe ndjeva një erë të keqe. Dhe ky ishte kryeqyteti. Mendoni se si mund të ishte periferia.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë diplomat karriere dhe keni patur rastin të vizitoni një numër vendesh. Ishte Shqipëria ndryshe nga këto vende që ju i kishin vizituar më parë?

Ambasador William Ryerson: Pyetja që i bëra vetes ishte: “A jam në Evropë?”. Unë kisha shërbyer kryesisht në Evropë, dhe nuk kisha parë shumë vende të tjera, me përjashtim të disa vizitave 1-javore në Najrobi dhe Nju Delhi, pra nuk kisha parë shumë vende të varfëra të botës. Prandaj i bëra pyetjen vetes: “A është këtu Evropë?” Po, ishte.

Zëri i Amerikës: Kur erdhi Sekretari amerikan i Shtetit James Baker në qershor të vitit 1991 në Shqipëri, atij ju bë një pritje madhështore nga populli shqiptar, kujtoj mitingun e Tiranës, ku ishit dhe ju i pranishëm. A e prisnit ju një pritje të tillë, apo ishte ajo një surprizë për ju dhe për zotin Baker?

Ambasador William Ryerson: Më tepër ishte surprizë për Sekretarin Bejker, se sa për mua, se unë e nuhasja se çdo ndodhte. Unë fillimisht isha i shqetësuar për gjendjen e sigurisë. Chris (Hill) erdhi dhe na çuan në një miting në Kavajë. Unë shkoja çdo ditë tek sindikata dhe thoja, më falni, në se këta bastardë do t’i dëmtojnë këta njerëz, bota do ta marrë vesht dhe ata do të duhet të më vrasin mua, (gjykimi im i ishte se nuk do të më vrisnin) dhe më thanë: mos u shqetëso zoti Rajerson, trenat punojnë dhe ne do të sjellim njerëz dhe atëhere mendova “ka për të qenë e madhe”. Nuk e prisja të kishte kaq shumë njerëz. Unë kam qenë gjatë vizitës së JF Kenendit në Berlin, isha me shërbim, isha i ri atëhere; ishte e njëjta gjendje emocionale. Xhejms Bejker u çudit dhe madje u befasua. Kujtoj fjalimin e tij. Një politikan shumë i lartë që ishte në podium me Bejkerin, tha pasi foli Bejkeri, se ishte hera e parë në jetën e tij që ai ndjeu se mund të flitej lirshëm në vend. Ai punonte në Komitetin Qendror. Efekti ishte si një vetëtimë dhe i dha energji situatës.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë ambasador i SHBA në Shqipëri nga viti 1991 deri në 1994. Cilat janë disa nga ngjarjet që ju kanë lënë më tepër mbresë?

Ambasador William Ryerson: Dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara. Më kanë pyetur vazhdimisht, “a ishte e vështirë puna në Shqipëri?” por unë them: “Jo, nuk ishte, të paktën nuk ishte për mua. Unë u bëra objekti i kësaj dashurie për Amerikën, që nuk ishte për mua personalisht, por unë isha përfaqësuesi i saj, prandaj shfaqej ndaj meje. Pashë një përparim shumë të madh, me zgjedhjet e marsit 1992, të cilat ishin të parat zgjedhje të drejta dhe të lira në Shqipëri. Ato të 1991-ishit nuk ishin as të lira, as të drejta, pavarësisht se si i cilësuan ato disa evropianë. Mbaj mend kur Presidenti Berisha bisedoi në telefon me Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ishte një moment i veçantë. Më kanë lënë mbresë individët që kam takuar gjatë qëndrimit tim atje dhe u habita së tepërmi se sa i njohur isha. Në fillim ishte pak e vështirë. Kur mora në telefon Shefin e Zyrës së Protokollit ditën që arrita në prill, i thashë: pres me kënaqësi ditën kur të shkoj në Parlament, për të dëgjuar debatin dhe ai më tha: “Jo nuk mund të shkosh!” “Si nuk mund të shkoj? - i thashë, - në Uashington mund të shkosh në Kongres dhe të dëgjosh seancat." Atëhere i thashë: ”Unë protestoj, qeveria ime proteston”. Atë pasdite takova Gramoz Pashkon dhe ai më tha “Jam i sigurt që nesër do të jesh në Parlament” . Unë i thashë se do të doja shumë. Ai më tha: “Do të shohim në se kemi me të vërtetë një Parlament të lirë, apo jo”. Të nesërmen në mëngjes më morën në telefon dhe më thanë: “Mund të vish në Parlament dhe të marrësh me vete edhe përkthyesen”. Dhe më falënderuan shumë diplomatë të tjerë në Tiranë, që nuk kishin mundur të hynin në parë në parlament.

Zëri i Amerikës: Dhe që atëhere ju shkonit rregullisht në Parlamentin e Shqipërisë…

Ambasador William Ryerson: Unë shkoja atje në çdo kohë. Haja drekë dhe darkë në Dajti shpesh dhe prej andej shkoja...

Zëri i Amerikës: Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, në pritje të një ftese për anëtarësim në BE. Megjithatë, atje vazhdon të këtë një politikë konflikualiteti, ju si i përjetoni këto zhvillime?

Ambasador William Ryerson: ...Jam në dijeni, që është një gjendje kofliktuale. Por aktualisht edhe ne në Amerikë nuk po ofrojmë një shembull më të mirë. Ne këtu duhet të kemi një bashkëpunim më të madh se sa kemi tani. Është diçka e mrekullueshme që Shqipëria është në NATO. Po të ma kishit thënë këtë në vitin 1990, do t’ju thoja: “Jeni e droguar”? E vetmja gjë që më vjen keq është që Safet Zhulali nuk arriti ta shikojë këtë, spese ajo ishte ëndërra e tij. Mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë se para së gjithash, është një ekpozim më i madh ndaj Perëndimit dhe drejt BE-së. Shqipëria ka nevojë të bëjë më tepër brenda vendit për ta bërë këtë hap. Refuzimi i kohëve të fundit ishte një vendim shumë i ashpër. Një fillim i mirë për këtë mendoj se do të ishte një demokratizim i plotë brenda Partisë Demokratike. Ju e dini që unë e kam mbështetur Partinë Demokratike. Por mendoj se ajo duhet të ketë demokraci brenda radhëve të saj. Një njeri, një votë, votim i fshehtë. Kështu mund të ecet përpara. Ndoshta edhe partitë e tjera do ta pasojnë atë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë.

Zëri i Amerikës: Shpesh thuhet se Shqipëria po përjeton një tranzicion të zgjatur. Sipas jush, çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë në Shqipëri gjatë këtyre viteve?

Ambasador William Ryerson: Nuk është për t’u çuditur. Ju e dini, ju keni qenë atje, e dini si ka qenë vendi më parë. Çfarë mund të ishte bërë më mirë? Ndoshta një mundësi mund të kishte qenë të hapeshin të gjitha dosjet. Kjo kishte rreziqet e veta, siç pati thënë i ndjeri Pjetër Arbnori: "Po sikur të mësosh se kunata të ka spiunuar tek sigurimi? Ndoshta Sigurimi e ka frikësuar dhe ajo mund të jetë detyruar të ketë thënë se ke qenë spiun". Sigurimi po ashtu, mund të ketë sajuar dosje të kësaj natyre. Kjo kishte rreziqet e veta dhe nuk mendoj se dikush nga jashtë do të gjykonte mirë se çfarë rruge duhej ndjekur.

Zëri i Amerikës: E kam fjalën tek korrupsioni, për shembull...

Ambasador William Ryerson: Kris Hill dhe unë shpesh thonim: Perandoria otomane i ka rrënjët të thella në Ballkan. Kjo është e lehtë të thuhet. Ajo që nevojietet sipas meje, është që gjykatat të jenë plotësisht të pavarura. Nevojiten gjykatës të mirë, të cilët të jenë të ndershëm dhe kjo nuk është e lehtë, sepse edhe ndaj tyre ushtrohet presion. Shqipëria është një vend i vogël. Të gjithë e njohin njëri tjetrin. Kjo është shumë e vështirë të realizohet. Por Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.

Zëri i Amerikës: A keni ndërmend të shkoni një ditë në Shqipëri?

Ambasador William Ryerson: Kam thënë se po. Dua të jem atje për 100 vjetorin e pavarësisë në vitin 2012. Dhe ndoshta deri atëhere, ndërtesa e Parlamentit do të jetë dhe duhet të tjetë në Bulevard dhe Monumenti i atij njeriu të tmerrshëm që njihet si Piramida, do të jetë hequr. Mendoj se ajo nuk është aspak funksionale edhe nga brenda, një tendë gjigande prej guri, e pakuptimtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rajerson, ju faleminderit për intervistën.

Ambasador William Ryerson: Faleminderit, i përshëndes të gjithë!

XS
SM
MD
LG