Lidhje

Ambasadorët: Shqipëria mundet


Ettore Sequi, Alexander Arvizu nënvizojnë në një artikull redaksional fushat ku vendi duhet të përqëndrohet për të garantuar rrugën drejt BE-së

Në Shqipëri, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Ettore Sequi dhe ai i Shteteve të Bashkuara Alexander Arvizu shprehen se dialogu politik konstruktiv dhe bashkëpunimi duhet të bëhen tipare të rrënjosur në politikën shqiptare dhe se një gjë e tillë do të lejontë vazhdimin e reformave që do e mbanin vendin në rrgën drejt Bashkimit Europian. Komentet e tyre të dy ambasadorët i kanë bërë në një artikull të përbashkët redaksional për shtypin e ditës së sotme në Shqipëri. Ata rendisin një sërë drejtimesh ku sipas tyre nevojitet që vendi të bëjë progres që nga forcimi i shtetit ligjor, përmirësii i mjedisit ekonomik, administrata publike e deri te roli i Shqipërisë në rajon.

Shqipëria mundet! Ky është titulli i editorialit të përbashkët të dy ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë, atij të delegacionit të Bashkimit Europian Ettore Sequi dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Alexandër Arvizu, shpërndarë për shtypin e ditës së sotme. Të dy ambasadorët nënvizojnë fillimisht faktin se zgjedhjet e 23 qershorit “ishin zgjedhjet e administruara në mënyrën më të suksesshme që Shqipëria ka zhvilluar deri më sot.

Zgjedhjet treguan që shqiptarët janë të angazhuar në mënyrë aktive në procesin demokratik dhe demonstruan më shumë pjekuri demokratike” shprehen ambasadorët, duke nënvizuar se “shqiptarët morën pjesë masivisht në zgjedhje për përparim, për reforma, dhe për transformim. Tani, votuesit presin që qeveria dhe të gjitha partitë në parlament të punojnë për t’i kryer këto reforma dhe për të realizuar me shpejtësi dhe zell integrimin e Shqipërisë në BE dhe në bashkësinë euro-atlantike”.

Por që të ecet përpara në këtë rrugë, ambasadorët vlerësojnë si tejet të rëndësishme që “dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi të bëhen tipare të rrënjosura të peisazhit politik të Shqipërisë. Kjo do të lejonte që reformat të vazhdonin në fusha që përbëjnë përparësi dhe do ta mbanin Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, nënvizojnë dy ambasadorët duke vecuar fushat që ata i konsiderojnë si parësore që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit europian.

Së pari “përkushtim për të miratuar dhe vënë në zbatim reforma kyçe, sidomos në fushën e shtetit ligjor. Shqipëria të demonstrojë aftësinë dhe vullnetin e saj për të zbatuar ligjet anti-korrupsion dhe të rrisë transparencën, llogaridhënien, dhe efektshmërinë e sistemit gjyqësor të vendit, përfshirë këtu edhe kodin penal” theksojnë ambasadorët Sequi dhe Arvizu duke shtuar edhe trajtimin e cështjeve të të drejtave të njeiut si dhe reformën në pronësi.

Zhvillimi ekonomik vlerësohet si një tjetër drejtim i rëndësishëm që vendi “të bëhet më i begatë dhe të përmirësojë standardin e jetesës për të gjithë qytetarët e saj”, shprehen dy ambasadorët, ndërsa nxisin “me forcë qeverinë e re për të zbatuar dhe përforcuar praktikat që krijojnë një mjedis të ndershëm, transparent për biznesin dhe një fushë loje të barabartë për të gjithë investuesit. Investimet e brendshme dhe të huaja mund të jenë një shtytës domethënës i zhvillimit ekonomik në vitet që vijnë”, theksohet në editorial, ku nënvizohet edhe rëndësia e një “administrate publike që është e aftë, e qëndrueshme dhe profesionale dhe që u jep shërbime cilësore qytetarëve”.

Në fund, ambasadorët Sequi dhe Arvizu veçojnë edhe “rolin e moderuar dhe konstruktiv që Shqipëria mund të vazhdojë të luajë në rajon. Ajo mund të ndihmojë për t’u siguruar që shqiptarët kudo në rajon të luajnë role të plota, aktive dhe konstruktive si qytetarë të demokracive fqinje. Marrëveshja e kohëve të fundit midis Serbisë dhe Kosovës – shprehen ambasadorët - hap një epokë të re mundësish për bashkëpunim rajonal.

Nëpërmjet reformash që do ta bënin Shqipërinë një aleate edhe më të fortë në NATO dhe kontribuese e sigurisë europiane, Shqipëria mund të shërbejë si shembull për të tjera vende të Ballkanit që aspirojnë anëtarësim” theksohet në tekstin e editorialit ku ata shprehin besimin se “Shqipëria duhet ta rrokë këtë mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendin”, pavarësisht se “sfidat përpara mund të duken të frikshme”, shprehen ambasadorët, duke garantuar njëkohësisht mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG