Lidhje

Ambientalistët: Përdorimi i substancave kimike, rrezik për shëndetin


Ambientalistët: Përdorimi i substancave kimike, rrezik për shëndetin
Ambientalistët: Përdorimi i substancave kimike, rrezik për shëndetin

Një grup i njohur ekspertësh, i cili studion substancat kimike që gjenden në lodrat e fëmijëve, kohët e fundit e ka kthyer vëmendjen tek produktet që përdoren për ndërtimin e shtëpive si dyshemetë dhe letrën që përdoret për veshjen e murit. Pas testimit të më shumë se 3000 mostrave, grupi jofitimprurës, zbuloi në to substanca të dëmshme kimike, si plumb dhe PVC, një lloj lënde plastike që gjendet në shumë produkte të ndërtimit të shtëpive. Shumë nga këto substanca helmuese njihen si shkaktarë të kancerit, azmës, si dhe të problemeve me sistemin riprodhues.

Levi është fëmijë tetë muajsh i cili si çdo fëmijë tjetër fut në gojë pothuaj çdo gjë që është para tij.

Levi nuk e di se tani shumë nga gjërat që ai fut në gojë si dhe ajri në shtëpi, në përbërje, mund të kenë nivele të larta substancash kimike që janë të dëmshme për shëndetin.

Rachel Gibson është e ëma e Levit dhe drejtore për politikat e substancave kimike në organizatën Kujdes Shëndetësor Pa Dëm, një koalicion ndërkombëtar i spitaleve dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor.
“Kjo është lodra e preferuar e djalit tim. Bënë zhurmë, ka drita të bukura por të them të drejtën nuk e di çfarë përbërje ka plastika e saj.”

Rachel është e shqetësuar nga substanca kimike e njohur me emrin Ftalate, e cila përdoret për zbutjen e plastikës dhe gjendet në lodrat e fëmijëve, kozmetikë dhe dyshemetë me vinil. Komisioni amerikan për Sigurinë e Prodhimeve të Konsumit ka ndaluar përdorimin e tre llojeve të ftalatës në lodrat e fëmijëve.

Shkencëtarët thonë se ftalatet ndikojnë tek gjendrat endokrinale dhe mund të shkaktojnë kancer dhe të dëmtojnë sistemin riprodhues.
“Bëhet fjalë kryesisht për pasoja në periudha kohore afatgjatë.”

Richard Denison është shkencëtar i lartë në Fondin për Mbrojtjen e Mjedisit, organizat e cila përqëndrohet studime shkencore.
“Fatkeqësisht ne e dimë se këto substanca kimike janë të afta të pengojnë zhvillimin e duhur të njeriut në fazat e hershme të jetës.”

Shoqata e Industrisë së Lodrave thotë se nuk ka vend për shqetësim. Stacey Leistner është zëdhënëse e shoqatës.
“Ne kemi rregulla të rrepta për të gjitha lodrat që shiten në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se nga kanë ardhur ato dhe ne jemi të bindur se lodrat që shiten nëpër dyqane tani janë më të sigurta se më parë.”

Kanë kaluar 34 vite nga miratimi i rregullave për përdorimin e substancave toksike në Shtetet e Bashkuara. Që nga ajo kohë, më shumë se 80 mijë substanca kimike kanë hyrë në treg pa u testuar apo rregulluar me ligj.

Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit ka arritur të rregullojë përdorimin e vetëm pesë substancave kimike.

Lisa Jackson është drejtore e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.
Është e qartë se ne kemi qenë në gjendje të rregullojmë përdorimin e vetëm një numri të vogël substancash kimike dhe kemi pak njohuri për substancat e tjera.”

Kohët e fundit organizata HealthyStuff.org ka testuar 1000 mostra të dyshemeve dhe 2000 mostra të letrës së murit në kërkim të substancave toksike. Organizata ka zbuluar nivele alarmuese të plumbit, ftalatës dhe plastikës PVC.

Ky grup sugjeron alternativa më të sigurta si linoleumi dhe përdorimi i lëndës drusore.
Lista e substancave kimike që shkencëtarët thonë se përmbajnë substanca të dëmshme është e gjatë, duke filluar nga substancat për ngadalësimin e zjarrit që përdoren në dyshekë dhe mobilje, që janë të ndaluara në shumë vende, deri te tefloni që dihet se ka lidhje me sëmundjen e kancerit.
“Sot në Shtetet e Bashkuara prodhohen dhe përdoren rreth 113 kilogram substanca kimike në ditë për banor. Imagjinoni bartjen e një çante në shpinë që peshon rreth 113 kilogramë dhe zëvendësimin e saj për çdo ditë.”

Megjithëse është në fuqi një ndalim i pjesshëm i përdorimit të ftalatës në Shtetet e Bashkuara, Denison thotë se shumë substanca kimike, përfshirë ftalatet, kanë shkaktuar dëme të mëdha.
“Të gjithë ne kemi sasi të caktuara të këtyre substancave kimike në trupin tonë. Ato ndotin dheun, ushqimin dhe ujin madje edhe dhjetëra vite pas ndalimit të tyre.”

Në kongres, kanë filluar përpjekje të reja për kontrollimin e substancave kimike. Por ekspertët thonë se kjo betejë do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

XS
SM
MD
LG