Lidhje

Medalja e Nderit për një hero amerikan


Presidenti Donald Trump i ka dhënë nderimin më të lartë ushtarak pjesëtarit të një ekipi elitë të marinës ushtarake amerikane për aktet heroike në vitin 2002 për të shpëtuar një tjetër pjesëtar të ekipit. Duke e nderuar Specialistin Britt Slabinski, Presidenti Trump tha se akti i tij i vetëmohimit në ndihmë të një bashkëluftëtari dëshmon shpirtin e patriotëve amerikanë.

Presidenti Trump i dha Medaljen e Nderit Specialistit Britt Slabinski, i shtati pjesëtar i ekipeve elitë Navy Seal që merr këtë nderim.

“Përmes akteve tua, ke demonstruar se nuk ka dashuri më të pastër, kurajo më të madhe, se sa dashuria dhe kurajoja në zemrat e patriotëve amerikanë. Ne gëzojmë lirinë sepse luftëtarë si ti janë të gatshëm të japin djersë, gjak dhe madje edhe jetën nëse është e nevojshme për këtë vend,” tha presidenti.

Specialisti Slabinski ishte në një mision ushtarak në Afganistan në një zonë malore të mbuluar nga bora në territor ku vepronte al-Kaida.

Thuajse menjëherë ekipi i tij u sulmua nga armiku që arriti të godasë helikopterin e tyre.

Gjatë kaosit, anëtari i ekipit, nënoficeri Neil Roberts ra nga helikopteri dhe u nda nga grupi.

“Mora vendimin se do të realizonim një operacion të shpejtë shpëtimi për të gjetur Neilin,” tregon Specilisti Britt Slabinski.

Slabinski udhëhoqi ekipin, megjithëse më të dobët në numër dhe armatosje se armiku.

“Shumë gjëra nuk ishin në favorin tonë, por nuk mund të prisnim deri sa gjërat të ishin në favorin tonë. Nuk mendoja se koha premtonte për të shpëtuar Neilin. E kisha të qartë kur u nisa se mund të mos kthehesha,” tregon specilisti i nderuar me medalje.

Nën breshërinë e plumbave, Specialisti Slabinski sulmoi pozicionet e al-Kaidës, duke hedhur granata, duke kërkuar mbështetje nga ajri dhe duke mbajtur në krah një shok të plagosur rëndë për ta nxjerrë jashtë zonës së rrezikut.

Tani që mban Medaljen e Nderit, sakrifica dhe trimëria e tij po nderohen nga gjithë bota.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG