Lidhje

Diana Nyad noton nga Kuba në Florida


Pas 53 orësh në ujë, notarja amerikane Diana Nyad arriti të përfundonte dje distancën nga Kuba në Florida. 64-vjeçarja u bë personi i parë që përshkon me not distancën prej rreth 177 km pa ndihmën e një kafazi kundër peshkaqenëve.

Me pamje të lodhur dhe e djegur nga dielli, notarja amerikane Diana Nyad mbërriti dje në breg, duke u bërë personi i parë që noton nga Kuba në Florida, pa ndihmën e një kafazi kundër peshkaqenëve.

64-vjeçarja Nyad arriti dje në plazhin e Key West-it në Florida, pasi ishte nisur të shtunën 53 orë më parë nga Havana. Ndërsa i afrohej bregut, një grup admiruesish po e prisnin dhe më pas e rrethuan duke brohoritur dhe duke e fotografuar. Ajo tha:

"Kam tre mesazhe. I pari është, se kurrë nuk duhet të dorëzohemi... kurrë. I dyti është, asnjëherë nuk je tepër i moshuar për të ndjekur ëndrrën tënde. I treti është, ky duket si sport i vetmuar, por në fakt është në ekip," tha ajo në plazh.

Personat që e shoqëronin thanë se ajo i kishte thënë këto fjalë, në mënyrë të paqartë, edhe kur kishte qenë në ujë.

Ajo u vendos në një barelë dhe u dërgua me ambulancë në spital. Por doktori i saj më vonë deklaroi se e konsideron të shëndetshme dhe se pret që Diana Nyad të shërohet shpejt nga dehidratimi, ënjtjet dhe djegia nga dielli.

Kjo ishte përpjekja e saj e pestë dhe ajo kishte thënë se do të ishte edhe hera e fundit që përpiqej të përfundonte notimin prej rreth 177 kilometrash. Notarja u përpoq tre herë në vitin 2011 dhe 2012. Tentativa e saj e parë ishte në vitin 1978.

Presidenti Barak Obama ishte mes zyrtarëve dhe personave të shumtë publikë të cilët uruan notaren. Në mesazhin në Twitter të Presidentit thuhej: "Kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja."

Përpjekja e mëparshme e Diana Nyad-it u ndërpre pas problemeve me njërën prej varkave shoqëruese, stuhive dhe rrymave të pafavorshme, si dhe pickimit të një kandili deti që shkaktoi ënjtjen e fytyrës së saj.

Këtë herë, ajo kishte veshur një kostum të plotë noti dhe gjatë natës një maskë, për mbrojtjen ndaj kandilave të detit. Gjatë 53 orëve, ajo ndaloi herë pas here për ushqim, por nuk doli asnjëherë nga uji. Ekipi i saj shoqërues kishte vënë në përdorim një pajisje që prodhonte një fushë elektrike të zbehtë rreth saj, për të mbajtur larg peshkaqenët.


XS
SM
MD
LG