Lidhje

Fjalimi i presidentit, reagojnë amerikanët


Trump Speech Protest
Trump Speech Protest

Në fjalimin e parë që mban para Kongresit, Presidenti Donald Trump prezantoi hollësi për politikat që synon të ndjekë administrata e tij për të bashkuar vendin pas zgjedhjeve përçarëse. Në komunitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, korrespondentë të Zërit të Amerikës ndoqën fjalimin në televizor, së bashku me banorë lokalë dhe morën përshtypjet e tyre mbi politikat që theksoi presidenti.

Në Holmes të Pensilvanisë, jo larg Filadelfias, një grup banorësh janë mbledhur për të luajtur bowling.

Televizioni po transmeton fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, drejtuar popullit amerikan:

“Të gjitha vendet e botës, miq dhe armiq, do ta kuptojnë se Amerika është e fortë, krenare dhe e lirë,” thotë presidenti.

Por ashtu si politikanët që kanë dërguar në Uashington si përfaqësues të tyre, edhe vetë amerikanët janë të ndarë mbi mesazhin që përcolli mbrëmë presidenti.

“Ai flet për rikthim të fitimeve dhe të vendeve të punës në Amerikë. Më në fund dikush po flet për ekonominë dhe punëtorin amerikan. Ç’të keqe ka këtu?” thotë Bryan Gallagher, përkrahës i presidentit Trump.

“Si do ta rindërtojë infrastrukturën kur shkurton taksat? Për të rindërtuar infrastrukturën duhet t’ua rrisësh taksat të pasurve. Ashtu përmirësohet infrastruktura e një vendi,” thotë Pete Harwan, përhrahës i ish-kandidates Clinton.

Në skajin tjetër të Shteteve të Bashkuara, në Las Vegas të Nevadës ku janë mbledhur për të ndjekur fjalimin një grup kinezo-amerikanësh që përkrahin zotin Trump, ngrihen pyetje për vizionin e presidentit për vendin:

“Deri tani ka thënë fjalë të mira, por ende nuk është bërë asgjë. E kanë prezantuar, por vazhdojnë të ndërrojnë herë një gjë, herë një tjetër. Dua të shoh që po bëhet diçka,” thotë Chris Villasenor.

Në Teksas, veterani Jeff Olsen thotë se i mirëpret propozimet e presidentit.

“Sa mirë do të ishte sikur këtë fjalim ta kishim dëgjuar pesë javë më parë. Të gjithë jemi amerikanë. Të gjithë ia duam të mirën Amerikës; mendoj se sonte ai foli me një ton shumë më pajtues se më parë”.

John, një banor i Ajovas, thotë se nuk është përkrahës i zotit Trump por shpreson që punët të shkojnë sa më mirë:

“Nuk jam republikan. Nuk më pëlqen Donald Trumpi, por duhet t’i japim mundësi të qeverisë. Ai fitoi, nuk vihen në dyshim kjo. Tani duhet ta mbështesim dhe të shpresojmë se do të bëjë një punë të mirë”.

Në Uashington, demonstruesit u mblodhën në mot me shi për të protestuar kundër presidentit. Sheldon Cohen ka kancer. Ai konsiderohet pacient me probleme ekzistuese shëndeti, por nën programin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor mund të gjente sigurime për shëndetin. Tani ky program është në rrezik nga administrata Trump:

“I jap notën më të lartë për cilësitë e argëtuesit dhe për kaosin presidencial. Por i jap notë ngelëse për punën që ka bërë si udhëheqës dhe për të bashkuar vendin,” thotë aktivisti Cohen.

Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë prej një muaji. Ai ka bërë miq e armiq me programin e tij qeverisës bazuar në premtimet e fushatës. Nëse do të arrijë ai ta vërë në jetë këtë program do të varet nga anëtarët e Kongresit dhe votuesit në të gjithë vendin që i zgjedhin këta anëtarë.

XS
SM
MD
LG