Lidhje

Amnesty International, thirrje EULEX-it për hetime rreth akuzave në Kosovë


Amnesty International, thirrje EULEX-it për hetime rreth akuzave në Kosovë
Amnesty International, thirrje EULEX-it për hetime rreth akuzave në Kosovë

Një organizatë prestigjoze ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje EULEX-it të fillojë menjëherë hetimet lidhur me aludimet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e individëve të përkatësisë serbe e shqiptare.

Në një deklaratë për shtyp të nxjerrë sot, organizata Amnesty International i referohet raportit që Senatori i Asamblesë së Këshillit të Evropës Dik Marti ka përgatitur për t’ia paraqitur nesër Komisionit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut. Raporti nënvizon se pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, serbë të Kosovës, por edhe shqiptarë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, ishin rrëmbyer dhe dërguar në kampe në Shqipëri. Po sipas raportit të zotit Marti, personat e rrëmbyer ishin vrarë dhe organet e tyre ishin marrë për trafik organesh.

Në deklaratën për shtyp, Drejtori i Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane, Nikola Bezhe, shprehet se kjo organizatë mbështet thirrjen e zotit Dik Marti drejtuar EULEX-it, që të ofrojë të gjitha burimet e nevojshme për të kryer një hetim të plotë dhe të pavarur lidhur me aludimet. Në këtë angazhim duhet të përfshihet edhe një program efektiv për mbrojtjen e dëshmitarëve në këto hetime, shprehet zyrtari i Amnesty International.

Gjatë 10 vjetëve të fundit, organizata për të drejtat e njeriut ka bërë disa herë thirrje për ndriçimin e fatit të serbëve, romëve dhe personave të tjerë të rrëmbyer pas përfundimit të konfliktit dhe për nxjerrjen para drejtësisë së autorëve të këtyre akteve. Në deklaratën e saj për shtyp, Amnesty International fajëson UNMIK-un për mungesë suksesi në këtë drejtim, ndërkohë që shumë nga këto çështje kanë kaluar tani nga kompetencat e EULEX-it në duart e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm në Kosovë.

XS
SM
MD
LG