Lidhje

Fushatë e re e organizatës “Amnesty International”

  • Henry Ridgewell

Organizata Amnesty International” ka filluar një fushatë për evidentimin e asaj që ajo e cilësoi një situatë që po vjen duke u keqësuar për aktivistët e të dretave të njeriut në mbarë botën. “Amnesty” shpreson që fushata e quajtur “Të guximshmit” të ndikojë që qeveritë të venë në jetë premtimet e tyre ndaj OKB-së për sigurinë e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Amnesty International thotë se sulmet ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut në mbarë botën kanë arritur një pikë krize.

Të dhënat nga grupi “Mbrojtësit e vijës së parë” tregojnë se në vitin 2016 u vranë 281 persona, ndërsa ushtronin misionin e tyre për të mbrojtur të drejtat e njeriut, krahasuar me 156 që humbën jetën një vit më parë.

“Në kushtet kur ka një kundërvënie të hapur ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe një sulm frontal ndaj këtyre të drejtave, është e rëndësishme t’u bëjmë thirrje autoriteteve që t’i ndalin menjëherë këto sulme,”- thotë Guadalupe Marengo.

Amnesty International thotë se në Rusi, përndjekja e aktivistëve të të drejtave të njeriut po shtohet në kushtet e ndalimit të organizatave jo-qeveritare.

Protestat në fillim të muajit shënuan përvjetorin e demonstratave kundër Presidentit Vladimir Putin. Disa nga aktivistët e të drejtave të njeriut që zhvilluan fushatë u burgosën.

"Ata na provokojnë dhe na detyrojnë të zhvillojmë një rezistencë edhe më të ashpër. Me këtë tregojnë se ligji në Rusi nuk ka asnjë vlerë,”- thotë ky aktivist rus.

Amnesty International thotë se në disa vende vihet re një prirje e ngjashme në trajtimin e aktivistëve:

“Këto ditë Hugaria po përpiqet të ketë një ligj të ngjashëm me atë të Rusisë, që vështirëson formimin e shoqatave dhe luftën për të drejtat e njeriut, nëse financohen nga burime të jashtme.”

Turqia akuzohet për shtypjen e të drejtave të njeriut pas dështimit të grushtit të shtetit vitin e kaluar. Dhjetra mijëra njerëz u arrestuan, apo u pushuan. Ankaraja i justifikon këto veprime, duke thënë se ata janë pjesë e një komploti të madh kundër qeverisë.

Krahas arrestimeve, rrëmbimeve dhe vrasjeve, mbrojtësit e të drejtave të njeriut në mbarë botën sulmohen edhe përmes rrjeteve sociale në internet. Për të gjurmuar aktivitetin e tyre përdoren mjete survejimi. Në mediat sociale zbatohen fushata shpifjesh, për të kultivuar armiqësinë.

“Ata akuzohen si terroristë, si kriminelë dhe si mbrojtës të veprimeve të pamoralshme.”

Amnesty International shpreson që fushata “Të guximshmit” do të evidentojë keqësimin e situatës për një numër të madh mbrojtësish të të drejtave të njeriut në mbarë botën – për të cilët organizata thotë se shpesh janë vija e fundit e mbrojtes në një shoqëri të lirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG