Lidhje

Analistët ofrojnë parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2012


Analistët ofrojnë parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2012
Analistët ofrojnë parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2012

Pas një viti të vështirë, ku ekonomia globale ndeshi në sfida të shumta, ekonomistët amerikanë po analizojnë perspektivën për vitin 2012. Për sa i përket buxhetit amerikan, apo papunësisë dhe krizës në Evropë, shumë prej tyre mendojnë se 2012-a do të jetë pak a shumë i ngjashëm me vitin që kaloi:

Kriza politike lidhur me buxhetin, apo shqetësimet për një recesion të dytë ishin ndër faktorët që e shoqëruan ekonominë amerikane nga një krizë në tjetrën gjatë vitit 2011.

Ekonomisti Mark Vitner pranë bankës “Wells Fargo”, thotë se në shumë aspekte pritet që viti 2012 të jetë shumë i ngjashëm me 2011:

"Gjysma e parë e vitit pritet të shoqërohet me rritje më të ulët se parashikimet. Ka gjasa që të ringjallen shqetësimet për rikthim të recesionit, sidomos po të vështirësohen më tej gjërat në Evropë. Por nga gjysma e vitit, sidomos nga fundi i verës, shifrat duhet të kenë marrë kahje pozitive”.

Në atë kohë, fushata për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm do të jetë mobilizuar plotësisht. Pritet që vendet e punës të jenë shqetësim kryesor për njerëzit. Parashikimet për rritje tepër të ngadaltë dëmtojnë shpresat për uljen e papunësisë nga 8.6 për qind dhe sinjalizojnë një treg pune të dobët, parashikon Beth Ann Bovino e kompanisë Standard and Poor’s.

"Parashikoj se ritmet e papunësisë do të rriten pak, dhe do të mbeten tek 9 për qind gjatë vitit dhe më pas do të bien gradualisht me përshpejtimin e ritmeve të rimëkëmbjes”.

Ekonomisti George Perry pranë institutit Brookings ka parashikime më optimiste:

"Mendoj se papunësia në Amerikë do të ulet në fund të vitit krahasuar me nivelin e tanishëm, me kusht që gjendja në Evropë të mos dalë jashtë kontrollit dhe Kina të vazhdojë rritjen ekonomike”.

Nigel Gault në shoqatën IHS Global Insight thotë se kërcënimi më i madh vjen nga stanjacioni ekonomik në 17 vendet e eurozonës:

"Eurozona është kërcënimi më i madh jo vetëm për recesion në këto vende. Pra është rreziku i recesionit i kombinuar me krizën financiare të eurozonës që shndërrohen në krizë madhore globale. Në skenarin më të keq, gjendja mund të shkojë aty ku ishte në vitin 2008, 2009”.

Pjesa më e madhe e ekonomistëve thonë se nuk mund të bëhen parashikime të sakta nëse vende në vështirësi si Greqia vendosin të heqin dorë nga euroja. Një tjetër element shqetësues është borxhi i huaj si i Shteteve të Bashkuara, edhe vendeve të tjera. Shumë ekonomistë theksojnë se shkurtimet buxhetore dhe masa të tjera shtrënguese, megjithëse të nevojshme, në spektrin afat-shkurtër mund të sjellin vështirësi të reja për ekonominë e dobët globale.

XS
SM
MD
LG