Lidhje

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi


Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, anëtar me përvojë i nën-komisionit për Evropën dhe Kryetar i Komisionit, që merret me çështjet shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve, në një deklaratë, që bëri lidhur me marrëveshjen e javës së kaluar mes BE-së, Kosovës dhe Serbisë thotë se e ardhmja e Kosovës, Serbisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit është në strukturat kyçe Euro-Atlantike, të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që vendet e rajonit të ndajnë një të ardhme të përbashkët dhe duhet të gjykohen në bazë të standarteve të barabarta të respektit për fqinjët e tyre.

Jam i kënaqur, shprehet zoti Engel, që në bazë të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të marrë pjesë në negociatat rajonale dhe përshendes Kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij për këtë vendim të guximshëm dhe të vështirë për ta çuar përpara procesin. Kjo marrëveshje e shumëpritur u arrit vetëm pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian garantuan se Serbia nuk do të bllokojë Kosovën që të ketë vendin e saj të duhur në tryezën e bisedimeve si një shtet i pavarur. Sekretarja e Shtetit Clinton meriton vlerësime të larta për garantimin se të drejtat e Kosovës si një vend sovran do të jenë të sigurta gjatë gjithë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin miqtë e tyre në Ballkan dhe në gjithë botën.

Por kjo nuk është e mjaftueshme, shton zoti Engel. Jam në dijeni të faktit se është bërë përparim, madje e vlerësoj studimin e një marrëveshjeje të Stabilizim-Associmit të BE-së për Kosovën. Megjithatë, jam ende i zhgënjyer që Bashkimi Evropian ka vepruar shumë ngadalë për t'i dhënë Kosovës të njëjtat përfitime, që i ka dhënë shteteve të tjera, edhe ndërkohë që ka të ngjarë se do t'i ofrojë Serbisë statusin e vendit kandidat para se ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Nga liberalizimi i vizave deri tek marrëveshja e Stabilizim-Associmit, Bashkimi Evropian duhet të punojë më shumë dhe të lëvizë më shpejt në përpjekjet për të përfshirë Kosovën në strukturat evropiane dhe për t'u siguruar se Serbia zbaton marrëveshjet, që nënshkruan me Kosovën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojnë të bëjnë një sy qor kur Serbia injoron marrëveshjet e arritura me Kosovën, thotë ligjvënësi amerikan Engel. Ne duhet ta mbajmë Serbinë përgjegjëse duke mos i dhënë Beogradit përfitime të tjera deri sa të përmbushë të gjitha kushtet e specifikuara nga BE-ja dhe deri sa të zbatojë marrëveshjet, që ka nënshkruar.

Gjatë gjithë këtij procesi, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin popullin e Kosovës, duke kërkuar rrugë të tjera për të mbështetur shtetin e rij, përfshirë këtu nëpërmjet programit të sfidave të mijëvjecarit dhe duke i kërkuar BE-së që t'i japë fund praktikës së zvarritjes lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës, thekson ne deklaratën e tij zoti Engel.

XS
SM
MD
LG