Lidhje

Kush ishte Anis Amri?


Vetëm pak orë pasi kreu sulmin vdekjeprurës të hënën në Berlin, Anis Amri shkoi në xhami për t’u falur. Por e kaluara e 24-vjeçarit nga Tunizia tregon se ai nuk ishte aspak i përkushtuar ndaj fesë së tij, para ose pas radikalizimit.

Propagandistë të Shtetit Islamik postuan të premten një video ku tregonin Anis Amrin duke u betuar për besnikëri ndaj udhëheqësit të rrjetit Abu Bakr al-Baghdadi. Në video ai zotohet për sulme hakmarrëse ndaj “fushatës së Kryqëzatave” që po bombardon myslimanë. Megjithë fjalët që thotë në video, jeta e tij ishte e karakterizuar nga akte që bien ndesh me fenë, nga krime ordinere dhe vandalizëm.

Kur mbërriti në ishullin italian të Lampeduzës si refugjat, ai u tha autoriteteve se ishte i mitur, megjithëse ishte 19 vjeç. Si rezultat i deklaratës së tij e sistemuan me një familje në qytetin siçilian të Katanias ku u regjistrua në shkollë të mesme. Aty ai vidhte, ngacmonte dhe frikësonte nxënësit e tjerë, thyente disiplinën dhe sulmonte edhe fizikisht mësuesit.

Autoritetet e drejtësisë thonë se ai krijoi një klimë terrori në klasë, siç njofton gazeta italiane La Stampa.

Pasi u përpoq në një rast t’i vinte zjarrin shkollës dhe një qendre imigrantësh, ai u arrestua në tetor 2011 dhe u dënua me katër vjet burg. Autoritetet e burgut të Katanias e konsideronin si eksponent të rrezikshëm dhe si rezultat të sjelljes së dhunshme ai nuk kishte të drejtë për lirim me kusht. Pasi vuajti dënimin e plotë, ai u lirua në maj 2015 dhe u urdhërua të largohej nga Italia. Por autoritetet tuniziane nuk bashkëpunuan për ta sjellë në vend, si rezultat ai u zhduk nga radari. Megjithatë, autoritetet italiane futën të gjitha të dhënat e tij në sistemin e përbashkët të informacionit për vendet Shengen.

Zyrtarët italianë thonë se nuk ka prova se Amri ishte radikalizuar në kohën kur u largua nga Italia për në Gjermani me një grup refugjatësh për të kërkuar azil politik. Kërkesa e tij nuk u pranua.

E kaluara e Anis Amrit me një numër krimesh dhe sjellje prej vandali ngjet me histori të tjera të rekrutëve për xhihadizëm dhe autorëve të sulmeve individuale që kanë terrorizuar gjatë viteve të fundit Evropën.

Autorët e sulmit të vitit të kaluar në Paris po ashtu ndiqnin një jetë laike, duke marrë drogë, duke kryer krime madje edhe gjatë kohës kur ishin radikalizuar.

Disa analistë, si Rok Coolsaet i Institutit Egmont, një organizatë e pavarur kërkimore në Bruksel, mendojnë se ISIS nuk do t’ia dijë nëse rekrutët e tij ndjekin apo jo jetën e një besimtari mysliman, apo nëse janë bashkuar me këtë organizatë të nxitur nga narsicizmi apo probleme mendore me dëshirën për të kryer krime.

“Me sa kuptoj nga ato që shoh në median sociale, këta janë të rinj me probleme disipline, të rebeluar dhe me një ndjenjë vetëkënaqësie të tepruar,” shprehet ai për Zërin e Amerikës.

Amedy Coulibaly, xhihadisti që qëlloi katër hebrenj në një dyqan ushqimesh në Paris në janar 2015, po ashtu nuk ndiqte një jetë të rregullt fetare.

I tillë ishte edhe Anis Amri. I lindur në dhjetor 1992 në një fshat të varfër në veri-lindje të Tunizisë ku ka pasur shumë vatra ekstremiste të sektit Salafist, ai u arrestua në 2010 pasi vodhi një kamion. Por babai i tij, Mustafa tha për gazetarët se i biri kishte pasur probleme edhe më parë, dhe kishte pirë e marrë drogë pasi la shkollën. I ati fajëson varfërinë për rrugën që mori djali.

“Ai punonte në bujqësi, nganjëherë punonte me shitës ambulantë. Pinte me shokët dhe si rezultat u arrestua disa herë. Policia e kapi disa herë duke pirë marijuana. Kishte shumë të dashura,” thotë babai i Anisit.

I vëllai mendon se ai mund të jetë radikalizuar gjatë kohës së burgut në Itali, por faktet nuk e mbështesin këtë teori.

Shteti Islamik e ka lavdëruar publikisht aktin e Asni Amrit duke e quajtur atë një “ushtar” që kreu “sulm në përgjigje të thirrjeve për të goditur civilë të koalicionit të Kryqëzatave”. Por autoritetet gjermane ende nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte mes Amrit dhe ISIS.

Tani që po dalin hollësi mbi jetën e 24-vjeçarit, po shtohen kritikat për punën e autoriteteve gjermane të rendit dhe anti-terrorizmit. Kundër tij kishte filluar procesi për deportim, por procesi u vonua pasi autoritetet nuk arrinin dot të vërtetonin identitetin e tij në përputhje me rregulloret.

Autoritetet gjermane e kishin Amrin në radar, por ishin konfuzuar nga pasaportat e falsifikuara që ai kishte përdorur. Në gusht ai u arrestua me pasaportë falso në Gjermaninë veriore kur po shkonte në Itali, por më pas u lirua me urdhër të gjykatësit.

Autoritetet ishin në dieni për qëllimet e tij për të kryer sulm pasi ishin njoftuar nga një informator që kishte kontakte me një shok të Amrit. Në grupin e xhihadistëve flitej hapur për të ngarë një kamion mbi një turmë njerëzish.

Politikanët gjermanë kanë kërkuar hollësi se si arriti Amri, pasi kreu sulmin, të largohej për në Itali, duke kaluar nëpër Francë, megjithëse ishte vënë në lëvizje një operacion masiv për kapjen e tij.

XS
SM
MD
LG