Lidhje

Ankand me vepra nga Lindja e Mesme


Kompania e ankandeve Sotheby po organizon një ankand që e cilëson si serinë më të plotë të ekspozitave dhe shitjeve të artit të Lindjes së Mesme.

Vepra që i përkasin artit kontemporan e deri tek ai i lashtë do të shoqërohen me një seri diskutimesh dhe leksionesh nga studiues të fushës nga ky rajon.

Drejtori i kompanisë Sotheby thotë se ka interes në rritje për artin nga Lindja e Mesme. Shumë muzeume të njohura kanë hapur ekspozita të dedikuara ndaj këtij arti, ndërkohë që janë rritur çmimet e veprave në ankande.

Sotheby do të nxjerrë për shitje një kuti me guackë breshke, të veshur me fildish dhe metal, me një mbishkrim të gdhendur, që i përket shekullit XVI. Objekti me origjinë nga Turqia pritet të shitet nga 350 mijë deri në 450 mijë dollarë.

Një tjetër objekt me interes janë dy panele druri të fundit të shekullit XIX që mund të jenë instaluar si dyer, të gdhendura dhe të zbukuruara me fildish, me origjinë nga Egjipti, që mund të shiten deri në 400 mijë dollarë.

Për historianët me interes është një faqe nga libri i shenjtë Kurani, që i përket shekullit XI, shkruar me germa të stilizuara të kohës.

Ankandi do të zhvillohet në Londër nga 19-21 prill.

XS
SM
MD
LG