Lidhje

Si ndikon tek Gjykata e Lartë largimi i Kennedit


Tani që anëtari i Gjykatës së Lartë Anthony Kennedy do të dalë në pension, Presidenti Donald Trump ka mundësinë të zgjedhë një kandidat që t’i përshtatet më mirë axhendës së tij politike. Kennedy konsiderohej si anëtari me pikëpamje të moderuara në institucionin më të lartë gjyqësor të vendit që ka për detyrë të interpretojë ligjet federale, përfshirë edhe respektimin e Kushtetutës. Presidenti do të prezantojë kandidatin e tij vetëm pak muaj para zgjedhjeve në Kongres, kur demokratët shpresojnë të shtojnë numrin e vendeve që kontrollojnë në të dyja dhomat:

Anthony Kennedy po del në pension pas një karriere 30 vjeçare. Vota e tij ka qenë shpesh vendimtare për vendime të rëndësishme, përfshirë abortin, kontrollin e armëve, të drejtën e votës dhe martesat e homoseksualëve. Ai u emërua nga Presidenti republikan Ronald Reagan dhe është besnik ndaj Partisë Republikane, thotë profesori i jurisprudencës David Abraham:

“Fakti që Gjykatësi Kennedy u tregua progresist me të drejtat e homoseksualëve ka krijuar përshtypjen se ai është i moderuar. Pa diskutim që në krahasim me Samuel Aliton dhe Clarence Thomas ai është i moderuar. Por në temat kyçe të brezit të mëparshëm, Kennedy ka qenë vota e pestë që ka mbështetur qëndrimet konservatore”.

Profesor Abrahams thotë se Kennedy mund ta ketë zgjedhur momentin për të dalë në pension në mënyrë që presidenti të ketë mundësi të emërojë një tjetër konservator para zgjedhjeve të nëntorit për Kongres.

“Nuk është për t’u çuditur që ai vendosi të dalë në pension në një kohë kur republikanët kanë shumicën në Senat, në mënyrë që ai që do ta zëvendësojë të jetë përsëri republikan dhe të emërohet nga Presidenti Trump”.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer paralajmëroi të mërkurën se një tjetër gjykatës konservator mund të ndikonte për të përmbysur arritje të rëndësishme të gjykatës në favor të të drejtës së abortit apo të kujdesit shëndetësor.

“Amerikanët duhet ta bëjnë të qartë se nuk do të pranojnë një kandidat të zgjedhur nga lista e Presidenti Trump, i piketuar nga grupet e interesave speciale, të cilët do të kthejnë pas përparimin që kemi bërë gjatë dekadave”.

Disa analistë thonë se kandidati që do të zgjedhë presidenti mund t’i japë Gjykatës së Lartë një ndër përbërjet më konservatore në historinë e këtij institucioni. Profesori i juridikut Paul Shiff Berman tha për Zërin e Amerikës se një gjykatë e tillë konservatore mund të ndeshë në rezistencë nga shoqëria amerikane:

“Historia na ka treguar se kur opinioni i gjykatës është shumë para ose shumë pas opinionit publik, vetë legjitimiteti i institucionit sfidohet. Mendoj se do ta shohim këtë kur të ndodhë ndryshimi në gjykatë”.

Profesor Berman thotë se ka shumë të ngjarë që rezistenca ndaj Gjykatës së Lartë të vërehet nëse demokratët sigurojnë shumicën në Senat pas zgjedhjeve të nëntorit. Presidenti Trump tha të mërkurën se administrata e tij do të fillojë të shqyrtojë kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar zotin Kennedy.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG