Lidhje

Anulohen tubimet e së djathtës në San Fransisko


Udhëheqësit e grupimeve të djathta dhe anti-marksiste njoftuan se kanë anuluar tubimet e planifikuara për këtë fundjavë në zonën e Gjirit të San Fransiskos. Ata thanë se i ndryshuan planet për shkak të frikës se kundërprotestuesit e dhunshëm do të prishnin tubimet.

Kryetari i bashkisë së San Fransiskos, Ed Lee, i pati bërë thirrje banorëve të zonës që ta bojkotonin tubimin. Fillimisht, ai u përpoq pa sukses të bindte Shërbimin Kombëtar të Parqeve që të mos jepej leje për tubimin.

“Të gjithë e dini se disa njerëz do të vijnë nesër në qytetin tonë. Ju e dini gjithashtu se ne nuk besojmë tek mesazhi i tyre – mesazhi i urrejtjes. E kemi parë në mbarë vendin se si ai mesazh mund të shkaktojë dhunë. San Fransisko është një qytet i dashurisë dhe i përkushtimit që na udhëheq gjithnjë. Prandaj është e rëndësishme që jemi mbledhur të gjithë këtu ditën përpara se urrejtja të mbërrijë në brigjet tona”, u tha banorëve kryetari i bashkisë së San Fransiskos, Edwin Lee.

Njerëzit u mblodhën dje tek Qendra Qytetare e San Fransiskos në tubimin me moton “Të Bashkuar Kundër Urrejtjes”.

“Urrejtja është e rrezikshme dhe nuk mund të presim këmbëkryq duke i lënë të demonstrojnë dhe duke menduar se do të kalojë. Urrejtja nuk vepron kështu. Duhet t’i qëndrojmë përballë, duke i treguar se nuk ka vend në shtëpinë tonë. Nuk mundemi ta tolerojmë urrejtjen”, tha artisti McHammer, i cili është edhe banor i zonës.

Sot do të vazhdojnë protestat kundër urrejtjes në lagjen kryesore të komunitetit homoseksual të San Fransiskos. Në tubime të tjera njerëzit do të manifestojnë nëpërmjet vallëzimit, luleve, varkave dhe banderolave me simbolin e zemrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG