Lidhje

Anulohen bisedimet e radhës Kosovë - Serbi


Anulohen bisedimet e radhës Kosovë - Serbi
Anulohen bisedimet e radhës Kosovë - Serbi

Raundi i radhës i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që ishte planifikuar të mbahej sot, është anuluar për shkak se delegacioni serb ka kërkuar që të diskutohet për gjendjen në veriun e Kosovës.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Cooper tha se “bisedimet u anuluan, meqë delegacioni serb nuk ishte i gatshëm të diskutojë temat e parapara për sot”. Sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë atëherë kur pala serbe të jetë e gatshme për vazhdimin e tyre.

Në takimin e sotëm është dashur të diskutohet për energjinë, telekomunikacionin dhe bashkëpunimin rajonal si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët gjatë bisedimeve.

Por, delegacioni serb ka kërkuar që në debat të shtrohet situata në veriun e Kosovës ku dje pati përleshje ndërmjet forcave paqeruajtëse dhe protestuesve serbë që lanë pas vetes 11 të plagosur nga të cilët katër ushtarë të NATO-s dhe shtatë protestues.

Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës, duke kërkuar që në bisedimet e parapara për sot në Bruksel të shtrohet çështja e vendkalimeve kufitare.

Por, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper tha se “gjendja në vendkalimet në veri të Kosovës nuk është pjesë e bisedimeve apo takimeve të ndara me Serbinë”.

Bashkimi Evropian pret që palët së shpejti të dakordohen për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton tha se do të zhvillohen këshillime me të dyja palët për të caktuar një kalendar bisedimesh.

“Presim që bisedimet të vazhdojnë kur Serbia të jetë e gatshme për të marrë pjesë. Qëllimi i këtij procesi është diskutimi i çështjeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e palëve me Bashkimin Evropian. Pres që do të zhvillohen këshillime me Prishtinën dhe Beogradin për të shqyrtuar rrugët drejt përparimit në këtë proces”, tha zëdhënësja Kocijancic.

Beogradi synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe pret që të marrë statusin e vendit kandidat, por kjo do të varet nga qëndrimi kundruall Kosovës.

Bisedimet që filluan në mars të këtij viti, synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike të cilat kanë mbetur të pazgjidhura për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Më 2 shtator Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me përdorimin e vulave doganore. Në frymën e kësaj marrëveshjeje më 16 korrik, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe qeveria e Kosovës, vendosën në vendkalimet kufitare në veri, pjesëtarët e doganave dhe të policisë kufitare. Ky operacion po kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët lokal, të cilët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në veri që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

XS
SM
MD
LG