Lidhje

Nderohet kujtimi


Arbër Xhaferit, kryetarit të parë të Partisë Demokratike Shqiptare iu bënë homazhe në Tetovë, ndërsa në një takim përkujtimor po në Tetovë bashkëpunëtorë, ish-bashkëpunëtorë, miq e të afërm, politikanë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe njerëz që kishin respekt për Arbër Xhaferin i dhanë nderimet e fundit njeriut i cili padyshim kontribuoi në rrjedhën e politikës sidomos të viteve nëntëdhjetë, por edhe më pas dhe mbi gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai u cilësuan mes të tjerash si një politikan më liberal dhe konstruktiv i kohës së vet si dhe udhërrëfyes i kuadrove të reja të këtyre trojeve.

Kryetari aktual i PDSH-së Menduh Thaçi u shpreh me mjaft dhimbje dhe emocione.

“Kur një njeri të cilin e kemi dashur shumë, bëhet mbamendje, ashtu siç ne e kemi dashur Arbër Xhaferin, atëherë ajo mbamendje bëhet pasuri. Padyshim, mbamendja e shqiptarëve sot është më e pasur duke kujtuar jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit”, tha z. Thaçi.

Zamir Dika, rektor i Universitetit të Evropës juglindore ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Xhaferi në PDSH. Ai e quajti atë mentor i cili ka ndihmuar në ndërtimin e tij:

“Kam pasur fatin që duke ndenjur pranë tij të mësoj se si mendon dhe rezonon një njeri i madh, se si me një thellësi intelektuale njeriu me një thjeshtësi që ai dinte ta shpjegojë, arrin të krijojë vepra të mëdha kombëtare, politike apo në fusha shumëdimensionale”, thotë z. Dika.

Shoku i shkollës dhe i studimeve Miftar Ziberi nuk ka fjalë për ta përshkruar humbjen:


“Gjithkund bashkë, madje edhe në burg... është një humbje e madhe...”, thotë ai.


Mirushe Hoxha ka qenë bashkëpunëtore e afërt e zotit Xhaferi dhe nënkryetare e PDSH-së për një periudhë kohe:


“Z. Arbër Xhaferi e konfiguroi mendimin politik shqiptar këtu në Maqedoni. Kjo do të thotë të kesh një ide të caktuar, mendim të sajuar mirë të cilin duhet ta realizosh me mjete dhe mendime të qëlluara, shprehet ajo.


Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se tekstet dhe fjalët e Arbër Xhaferit janë të pazëvendësueshme:


Arbën Xhaferi ka hyrë me shumë dije në politikë dhe ka prodhuar shumë dije në politikë. Vepra dhe puna e A. Xhaferit është shumë më e madhe dhe shumë më e gjatë se sa jeta e tij. Kontributi i tij për çështjen kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që ata janë dhe kudo që jetojnë përgjatë këtyre kufijve që na ndajnë padrejtësisht, ishte kontribut i jashtëzakonshëm dhe ne kemi fituar shumë si komb që e patën, por kemi humbur shumë tash që nuk e kemi më”, tha Albin Kurti.

Dhimbje për humbjen e Arbër Xhaferit shprehën edhe drejtuesit dhe përfaqësues politikë nga Shqipëria Edi Rama, Ilir Meta, Astrit Patozi, Pandeli Majko.


“Arbër Xhaferi ishte unik në faktin që mishëronte brenda një njeriu të vetëm një sërë përmasash dhe nuk ka një të dytë në botën shqiptare të ketë tërë ato përmasa që kishte Arbri dhe kjo e bën humbjen e tij një humbje të madhe për botën shqiptare sot”, tha Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste.


“Arbër Xhaferi ka lënë një trashëgimi tepër solide, e cila gjithmnë do t’i ndihmojë politikanët shqiptarë për të faktorizuar shqiptarët përmes vizionit dhe mençurisë dhe urtësia e tij do të ndihmojë për të gjetur zgjidhjet më të mira në interes të gjithë shqitarëve, theksoi Ilir Meta”, kryetar i Lidhjes Socialiste për Integrim.


Arbër Xhaferi lindi në vitin 1948 në Tetovë në një familje qytetare dhe atdhetare. Ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në redaksinë e Kulturës deri në vitin 1990.


Rikthehet për të jetuar në Tetovë nga fillimi i viteve ’90 kur themelon Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar në vitin 1995, e cila më pas emërohet Partia Demokratike Shqiptare. Ai e drejtoi këtë parti deri në vitin 2007.

Ishte një zë i fuqishëm në kërkesat për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, ndërsa synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës. Ai ka qenë deputet në Parlamentin e vendit që nga viti 1994.

Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Marrëveshja e Ohrit ka ngecje në dy drejtime: në zbatimin ligjor, pra në Aneksin B, në nxjerrjen e ligjeve dhe zbatimin e ligjeve. Pikat kryesore nuk zbatohen duke filluar nga gjuha, modaliteti i decentralizimit, përfaqësimit adekuat dhe masave për rikthimin e mirëbesimit të ndërsjellë”, pati deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës z.Xhaferi.

Zoti Xhaferi njihej për qasjet filozofike ndaj çështjeve politike dhe shoqërore. Për një kohë të gjatë ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit; viteve të fundit gjendja e tij ishte rënduar, por gjente fuqi për të paraqitur opinionet përmes shkrimeve në shtyp.

Ai vdiq si pasojë e një hemorragjie cerebrale që e goditi më tetë gusht në banesën e tij në Tetovë.

XS
SM
MD
LG