Të dielën në Maqedoni mbahen zgjedhjet vendore. Në vazhdim ju sjellim pikëpamjet e dy kandidatëve për kryetar të komunës së Tetovës. Qyteti në rritje vlerësohet si qendra më me ndikim për shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa përballet sidomos me ngarkesën e trafikut.
Tetova shikohet si komuna më e rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë dhe shumica e partive politike i kanë selitë aty, ndërsa kush fiton garën zgjedhore në Tetovë vlerësohet si partia më me ndikim te shqiptarët.
Teuta Arifi, nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim garon për një mandat të dytë për postin numër një të komunës. Ndërsa, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa del për herë të parë në zgjedhje vendore.
Tetova, si shumica e qyteteve të banuara me shqiptarë kohët e fundit u përball me problemet e natyrës së ndotjes dhe kjo ishte pothuaj se çështja kryesore në fushatën e garuesve.
“Vendgrumbullimi i mbeturinave komunale ishte çështje shqetësuese për banorët e Tetovës dhe ishte nja 20 vjet të mira deri sa ne gjatë mandatit që po përfundon gjetëm zgjidhje trefazëshe dhe atë: e para nënkupton stabilizimin e ndërmarrjes publike, të cilën e gjetëm pothuaj se të bankrotuar për të arritur që të stabilizojë dhe të bëjë mbledhjen e mbeturinave; ndërtimin e stacionit të ngarkim-shkarkimit dhe stacionit për selektim sekondar dhe si rezultat i fundit pastrimi i plotë i deponisë në hyrje të qytetit. Prandaj, kërkesën për mbështetje nga popullata për këtë mandat e kam të bazuar në logjikën që Tetova nuk ka plehra, Tetova nuk ka tym të fabrikës Jugohrom dhe Tetova ka ujësjellës”, shprehet zonja Arifi.
Intervistën e plotë me zonjën Arifi mund ta gjeni këtu:
Ndërkaq, z. Kasami thotë:
“Për këtë çështje udhëtuam deri në Slloveni që të marrim përvojat më të mira sllovene dhe ato t’i bartim në Maqedoni. Ne garantojmë dhe u ofrojmë qytetarëve të Tetovës zgjidhjen e problemit përmes edukimit permanent të qytetarëve nga fëmijëria e deri në moshë të shtyrë që të mund të zvogëlohet niveli i ndotjes. Gjithashtu, do të fusim procesin e selektimit të mbeturinave sepse një pjesë e madhe e tyre që trajtohen sot si mbeturina dhe për çka paguajmë çmim për transportin dhe deponimin e tyre në vend-grumbillimet rajonale do të jenë të shfrytëzuara si repro-materiale siç është letra, plastika, alumini dhe plotë materiale të tjera të cilat në vend që të shfrytëzohen në procesin e mëtutjeshëm, për ato paguajmë çmim”, thotë z. Kasami.
Për të zgjidhur ngarkesën e trafikut, garuesit kanë plane për ngritjen e parkingjeve dhe bulevardeve, por sidomos për këto të fundit kostoja do të ishte mjaft e lartë, me që do të duhej shpronësuar, zhdëmtuar dhe kompensuar një numër jo të vogël pronarësh ku do të kalonte traseja.
Z. Kasami thotë se gjithçka është e mundur por duhet vullneti i mirë, një menaxhim i mirë dhe një qasje karshi zgjidhjes së problemeve.
“Ne si Lëvizje Besa kemi identifikuar dhjetë pika kyçe që janë nyjet e transportit në Tetovë e që e bllokojnë komunikacionin në Tetovë dhe ku ne do të instalojmë parkingje me sistem montimi së paku në dy kate me çka do të hapin ose do të lirojmë bulevardet që sot edhe kundër ligjit shfrytëzohen për parkingje publike. Ne do t’i shlirojmë këto bulevarde, do t’i transformojmë në brendësi të komplekseve banesore ku ka hapësira parkingu në të cilat do të ndërtojmë këto sisteme në kate”, thotë Kasami.
Intervistën e plotë me zotin Kasami mund ta ndiqni këtu.
Ndërkaq, Teuta Arifi thotë se është punuar gjatë këtij mandati dhe se janë shtruar me asfalt mbi njëzet kilometra rrugë të reja të punuara sipas standardeve, ndërsa kah fundi i mandatit janë përdorur për zgjerimin e bulevardeve.
“Kemi zgjeruar bulevardin ‘Industrial’ me një shumë prej 2 milionë eurosh. Kemi dhënë lejen e ndërtimit dhe kemi bërë projektin që është pranuar nga Banka Botërore dhe mjetet mendojmë t’i sigurojmë po nga Banka Botërore si për atë bulevard poashtu edhe për vazhdimin e bulevardit kryesor të qytetit në drejtim të Gostivarit. Kurse, për hapjen e një bulevardi tjetër të quajtur ‘Bllagoja Toska’ kemi kryer gjysmat e procedurave të shpronësimit dhe aty puna mund të vazhdojë menjëherë”, thotë Arifi.
Nëse fiton mandatin e kryetares së komunës, zonja Arifi ka në plan rritjen e kapacitetit të rrjetit të shkollave dhe ngritjen e objekteve kulturore:
“Tetova ka nevojë vetëm edhe për dy objekte shkollore, por jo më tepër, për të ngritur standardet e këtyre shkollave që kemi paisjen e të gjithave me salla sporti; një pjesë e madhe ka tashmë salla sportive dhe në të njejtën kohë mundësia për të kaluar në fazën tjetër të decentralizimit edhe me objektet e kulturës që mendojmë se do të na jipte një mundësi më të madhe për të krijuar aktivitete kulturore edhe më tepër, me që Tetova është një qytet i madh dhe ka nevojë për zhvillime kulturore”, thotë ajo.
Ndërkaq, zoti Kasami është shumë kritik ndaj mënyrës së shpenzimit të buxhetit të komunës, për çka thotë se ka munguar transparenca.
“Komuna e Tetovës ka një potencial të madh edhe financiar, edhe njerëzor edhe me kuadro në çdo aspekt që të ketë një buxhet shumë më të madh, një buxhet në shërbim të qytetarëve dhe jo një buxhet që shfrytëzohet për dreka e darka, për udhëtime jashta shtetit pa nevojë dhe për çështje të dyshimta në aspektin e transparencës”, thotë ai.
Por, zonja Arifi i hedh poshtë akuzat si të pabaza dhe tendenca politike të atyre që nuk i njohin ose i shtrembërojnë me qëllim çështjet financiare.
Facebook Forum