Lidhje

Rifillojnë luftimet në Lindjen e Mesme


Luftimet përfshinë Gazën përsëri sot, ndërsa militantët e Hamasit vazhduan të hidhnin raketa në Izrael dhe forcat izraelite ndërmorën sulme të ashpra ndaj enklavës palestineze, pak pasi u propozua një armëpushim tjetër.

Më herët sot, Hamasi kishte rënë dakord me vonesë për një armëpushim humanitar 24 orësh në Gaza, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha për kanalet televizive amerikane se militantët po e shkelnin atë, edhe gjatë kohës që ai po jepte intervistat, pak pas kohës kur pritej të fillonte.

Me rritjen e numrit të viktimave civile palestineze në Gaza, zoti Netanyahu tha se e kuptonte që opinion botëror mund të kthehet kundër Izraelit, por ai tha se Izraeli “do të merrte çfarëdo mase të nevojshme për të mbrojtur popullin e vet”.

Dhuna rifilloi pas një armëpushimi 12 orësh dje, që u respektua nga të dyja palët.

Armëpushimi i përkohshëm i së shtunës i dha banorëve të Gazës rastin të kthehen në shtëpi, për të parë gjendjen e tyre pas rreth tre javësh me sulme ajrore nga Izraeli, në përgjigje të hedhjes së raketave nga Hamasi.

Një pjesë e banorëve mundën të shpëtojnë disa objekte, ndërsa të tjerë i gjetën shtëpitë të shkatërruara.

Numri i të vdekurve mes palestinezëve i kalon të 1 mijë vetët. Shumica e tyre janë civilë, mes tyre fëmijë. Mes izraelitëve ka patur 37 ushtarë të vrarë dhe dy civilë.

Shtatë ministra të jashtëm, mes tyre sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, u takuan të shtunën in Paris, në kuadrin e përpjekjeve intensive për t'i dhënë fund luftimeve. Në takim morën pjesë edhe diplomatë nga Franca, Britania, Gjermania, Italia, Turqia dhe Katari

XS
SM
MD
LG