Lidhje

Arrest shtëpie për mësuesen që propagandoi për Shtetin Islamik


Gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 39 vjeçaren Emine Alushi, ish-mësuese e teologjisë në Medresenë e vajzave “Haxhi Sheh Shamia” të qytetit të Shkodrës.

Ish-mësuesja Alushi u arrestua mbrëmjen e të mërkurës, vetëm pak minuta pas emisionit investigativ “Stop”, në TV Klan, ku u publikua një audioregjistrim i vitit 2015, bërë nga një nxënëse e kësaj shkolle. Në të dëgjohet se si, gjatë një diskutimi me nxënëset, mësuesja Alushi shprehet në mbrojtje të organizatës terroriste ISIS dhe ish-kreut të Al Qaedas, Bin Laden.

Vendimi i gjykatës u mor sot, pas një seance me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave.

Mësuesja Emine Alushi u arrestua në flagrancë nga strukturat e antiterrorit në Policinë e Shkodrës dhe, në përfundim të procedurave, ju dorëzua prokurorisë për hetime të mëtejshme në lidhje me veprën penale ”Nxitje e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar në nenin 265 të Kodit Penal.

Arrestimi i mësueses Alushi u shoqërua me reagimin e shpejtë të drejtorisë dhe stafit pedagogjik të Medresesë së Shkodrës, të cilët, përmes një deklarate, u distancuan prerazi nga qëndrimet e ish-mësueses, duke u shprehur se medreseja ndjek një linjë bashkëkohore, sipas ligjeve të shtetit shqiptar dhe filozofisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar.

XS
SM
MD
LG