Lidhje

Arrestime për korrupsion në policinë e Kosovës


Arrestime për korrupsion në policinë e Kosovës
Arrestime për korrupsion në policinë e Kosovës

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se janë arrestuar gjashtë persona në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe keqpërdorime në policinë e Kosovës.

Në një njoftim të këtij misioni thuhet se keqpërdorimet e dyshuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, thuhet në njoftim, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere.

Gjatë operacionit të sotëm të EULEX-it janë arrestuar gjashtë persona nga të cilët tre janë punonjës të ndërmarrjeve private, dy zyrtarë nga administrata e policisë së Kosovës dhe një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Arrestimet pasuan një operacion bastisjesh në 12 shtëpi private, objekte afariste dhe zyra publike. Si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt afarist dhe një shtëpi private në Gjermani, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë u vendos në Kosovë në dhjetor të vitit 2008 dhe funksioni i tij është mbështetja dhe vëzhgimi i institucioneve të vendit në fushën e sundimit të ligjit.

XS
SM
MD
LG