Lidhje

Telefoni celular dhe a ka ndikim ai në rastet e kancerit?


Disa shkencëtarë kanë sugjeruar se telefonët celularë shtojnë rrezikun për t’u prekur nga tumori në tru

Ka kohë që vazhdojnë debatet mbi lidhjet e kancerit në tru me përdorimin e telefonëve celularë. Por një studim në vendet Skandinave nuk gjeti ndonjë rritje në shtimin rasteve të tumoreve në tru edhe pse numri i telefonëve celularë në përdorim u rrit dukshëm. Megjithatë, ekspertët thonë se çështja e lidhjes midis kancerit në tru dhe telefonëve celularë mbetet e hapur.

Më shumë se 250 milionë amerikanë, ose mbi 82 përqind e popullsisë, janë të regjistruar në një shërbim telefonësh celularë. Për shkak se këto pajisje lëshojnë valët e radio frekuencave, disa shkencëtarë kanë sugjeruar se telefonët celularë shtojnë rrezikun për t’u prekur nga tumori në tru.

Megjithatë, deri tani shumë studime nuk kanë mundur të vendosin një lidhje bindëse midis përdorimit të telefonit celular dhe tumorit të trurit. Dhe rezultatet e studimit të kryer në vendet skandinave ofrojnë një siguri më shumë. Studjuesit ekzaminuan rastet e tumoreve të trurit nga viti 1974 deri më 2003 dhe nuk gjetën asnjë provë për një rritjen e rasteve të tumoreve në tru edhe pse telefonët celularë në përdorim u shtuan dukshëm.

Studimet kanë treguar një mungesë të ngjashme lidhjesh edhe në Shtetet e Bashkuara. Por ekspertët mendojnë se mund të duhen disa dekada para se të mësohet e vërteta. Ata thonë se kanceret në tru zhvillohen ngadalë, prandaj edhe shkalla e rritjes së tyre ende mund të mos jetë e dallueshme.

Kjo është edhe arsyeja që shumë neurologë propozojnë kufizimin e telefonëve celularë, veçanërisht për fëmijët, truri i të cilëve është në zhvillim e sipër dhe ata kanë të ngjarë t’a përdorin këtë teknologji të re për shumë dekada në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG