Lidhje

1 miliardë gra viktima të dhunës gjinore


1 miliardë gra viktima të dhunës gjinore
1 miliardë gra viktima të dhunës gjinore

Një artikull redaksional në revistën British Medical Journal bën thirrje për një lëvizje morale dhe politike për t’i dhënë fund dhunës dhe shtypjes kundër grave dhe vajzave. Aty thuhet se gati një miliard gra në mbarë botën janë rrahur, detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale ose janë abuzuar në forma të tjera.


Artikulli i revistës e përshkruan shtypjen ndaj grave dhe vajzave si një padrejtësi të madhe që kryhet fshehtas, sistematikisht dhe ngado.

Janice Du Mont është bashkautore.

“Ne kemi dokumentuar problemin e dhunës kundër grave dhe abuzime të tjera dhe mungesën e vëmendjes ndaj grave për sa i përket nevojave gjatë lindjes etj. Ka shumë programe, fushata, politika, ligje, konventa dhe marrëveshje me synimin për ta eleminuar këtë dukuri. Ka patur përparim por ky problem vazhdon të jetë një epidemi globale – shtypja e grave dhe vajzave”.

Du Mont është shkencëtare në Institutin kërkimor Women’s College në Toronto dhe ndihmës profesore në Universitetin e Torontos. Ajo shkroi artikullin redaksional së bashku me Asistente Profesoren për sociologji Deborah White nga Universiteti Trent në Peterborough të Kanadasë.

Në artikull thuhet se dhuna, komplikacionet e mënjanueshme në shtatëzani dhe lindje janë shkelje të të drejtave dhe lirive njerëzore bazë.

“Kur mendon për shembull rreth dhunës kundër grave dhe vajzave, është një çështje që prek jetët e të gjithëve. Të gjithë kanë motra, nëna, mikesha që kanë provuar abuzime ose do t’i provojnë ato në të ardhmen. Pra është një problem i pranishëm në të gjitha vendet dhe që përfshin të gjitha caqet gjeografike dhe kulturore”.

Revista British Medical Journal intervistoi dy gra për të shkruar artikullin si vazhdimin i librit të vitit 2009 Half the Sky: Turning Oppression into Opportunity for Women Worldwide”.


Profesoresha Du Mont thotë se gratë në mbarë botën përballen me mjaft rreziqe.

“Pasoja numër një e abuzimit dhe mospërfilljes është vdekja. E di nga anketat në mbarë botën se llogaritet përshembull se gati 40 deri në 70 përqind e vrasjeve të grave janë kryer nga partnerët e tyre me të cilët kanë patur marrëdhënie abuzive. Gjithashtu abuzimi, mospërfillja, shtatëzanitë etj, mungesa e qasjes ndaj shërbimeve të duhura çon në lëndime dhe aftësi të kufizuara të përhershme”.


Ajo thotë se ka gjithashtu rreziqe për depression, vetvrasje dhe sëmundje kronike. Du Mont thotë se në vitin 2008 pati gati 360 mijë vdekje gjatë lindjeve në mbarë botën – pothuajse të gjitha në vendet në zhvillim. Pastaj vjen trafiku njerëzor, ku pjesa më e madhe e 800 mijë njerëzve që trafikohen cdo vit janë gra dhe vajza.


“Mendoj se është vërtetë kurajoja e grave dhe aktivisteve që e sollën këtë problem në dritë – dhunën kundër grave dhe vajzave – si një shkelje të turpshme të të drejtave të njeriut dhe vërtet si një rrezik dhe problem të shëndetit publik. Por nuk duhet të jetë krejtësisht përgjegjësi e grave t’i japin fund kësaj dhune. Ato nuk mund të jenë gjithmonë motorrë të ndryshimeve për të sjellë emancipimin. Ky proces ka shumë rreziqe. Komunitetet, vendet, shoqëritë në përgjithësi duhet të kujdesen për gratë dhe vajzat. Kjo duhet të jetë në krye të përparësive”.

Pabarazia gjinore thotë ajo, është forca shtytëse pas abuzimit. Ajo thotë se ata që abuzojnë gratë duhet të mbahen përgjegjës, duke shtuar se burrat dhe djemtë duhet të përfshihen tërësisht për nxitjen e barazisë dhe ndaljen e dhunës.

Du Mont thotë se ndryshimi kërkon vullnet politik bazuar tek një lëvizje e përgjithshme në mbarë globin.

XS
SM
MD
LG