Lidhje

20 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia kërkon rrugën e demokracisë


20 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia kërkon rrugën e demokracisë
20 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia kërkon rrugën e demokracisë

Gjatë 2 dekadave që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka bërë një përparim të madh ekonomik. Të ardhurat gjatë kësaj periudhe janë dhjetëfishuar, ndërkohë që këto ndryshime janë shoqëruar me demonstrata, në vitin 1991 kundër komunizmit dhe sot për të ringjallur ëndrrën e parealizuar për demokraci në Rusi.

20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, rusët po demonstrojnë përsëri. Këtë here jo për një revolucion kapitalist, por për reforma demokratike.

Masha Lipman, e cila mori pjesë në protestat e vitit 1991, është tani analiste në Qendrën Karnegi të Moskës.

"Ёshtë diçka shumë simbolike që ne po përjetojmë këtë aktivizëm publik në rritje, pikërisht 20 vjet pas përmbysjes së Bashkimit Sovjetik".

Më 1991, përparësia kryesore ishte ekonomike.

Vladimir Ryzhkov në atë kohë përpiqej të administronte një qytet provincial.

"Ekonomia ishte shkatërruar. Asgjë nuk funksiononte. Më kujtohet kur zhvillonim takime për çdo gjë; ku të gjenim qymyrguri, madje edhe si të siguroheshim që kishim furnizime me bukë dhe qumësht për qytetin".

Në 20 vjetët që prej përmbysjes së Bashkimit Sovjetik, të ardhurat e rusëve janë rritur ndjeshëm, por institucionet demokratike kanë mbetur mbrapa.

Lilia Shibanova drejton një grup vëzhgues elektoral, i quajtur Golos.

"Reformat demokratike përfunduan shumë shpejt. Vendosja e një qeverie me të vërtetë përfaqësuese, zgjedhje të lira e të drejta, zhvillimi i debateve të sinqertë dhe të hapur, të gjitha këto fenomene u eleminuan shumë shpejt".

Anketuesi Lev Gudkov thotë se institucionet bazë në Rusi nuk evoluan ashtu siç ndodhi me krijimin e shoqërisë së re konsumuese të Rusisë.

"Qeveria ende funksionon në formë vertikale dhe nuk kontrollohet nga shoqëria dhe pavarësisht të gjitha ndryshimeve, qeveria është e ndërtuar njëlloj si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Baza e saj është kryesisht policia politike dhe policia kriminale. Nuk ekziston sistemi i pavarur i gjykatave dhe i drejtësisë apo sistemi i arsimit".

Tani një dekadë e tërë stabiliteti dhe bumi të lidhjeve nëpërmjet Internetit ka zgjeruar hendekun mes rusëve dhe qeverisë së tyre autoritare.

Igor Yurgens drejton një organizatë studimore. Ai thotë se 90 për qind e rusëve të rritur janë në Internet, ndërkohë që burokratët e qeverisë vazhdojnë të jenë, siç shprehet ai, ‘feudalë’.

"Dëgjoj pensionistë, jo të veshur mirë, që i thonë njeri tjetrit në Internet se kanë gjetur një mjet të ri dëgjimi, një ndryshim në mënyrën e ekzistencës. Feudalizmi përkundrejt modernizimit, të gjitha së bashku në një shportë, gjë që nuk është pozitive, por do të gjehet më në fund një zgjidhje. Ose evolucioni, për të cilin kam shumë shpresë, ose revolucioni, të cilin shpresoj ta shmangim, sepse kemi përjetuar mjaft revolucion".

Një provë e madhe mund të jetë pjesëmarrja në një manifestim madhor demokratik i planifikuar për të shtunën, gati 20 vjet nga dita kur Mihail Gorbaçov njoftoi përfundimin e Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG