Lidhje

50 Vjetori i lëvizjes së të drejtave civile “Freedom Riders”


50 Vjetori i lëvizjes së të drejtave civile “Freedom Riders”
50 Vjetori i lëvizjes së të drejtave civile “Freedom Riders”

Në maj, 50 vjet më parë, 13 aktivistë të të drejtave civile, të bardhë dhe zezakë nisën një udhëtim me autobuz përmes Jugut Amerikan që do të sillte ndryshime dramatike në shoqërinë amerikane. Të njohur si Freedom Riders, ata udhëtuan nga kryeqyteti Uashington përmes disa qyteteve të jugut duke mos përfillur ligjet vendore që kërkonin ndarje racore në autobuzë dhe terminale. Megjithëse u kërcënuan dhe u sulmuan nga racistët e bardhë, ata besonin në veprimet pa dhunë dhe asnjëherë nuk u kundërpërgjigjën. Guximi i tyre frymëzoi dhjetra njerëz nga qytete të tjera që t’u bashkoheshin aktivistëve. Sot, historia e tyre është përfshirë në një dokumentar të Transmetimeve Publike amerikane që mund të shihet në faqen elektronike PBS.

Aktivistët Freedom Riders po zbresin nga autobuzi në Uashington për një ceremoni për nder të tyre. Ata janë mes më shumë se 400 njerëzve që iu bashkuan lëvizjes në vitin 1961 në Jugun Amerikan. Xhoan Mulholland i kujton racistët e bardhë që thoshin.

"Jeni tradhëtarë të racës suaj, na turpëruat".

Zonja Mulholland ishte studente kur u arrestua gjatë udhëtimit pasi kaloi ilegalisht vijën e ndarjes racore. Një aktivist tjetër ishte Xhon Luis, tani ligjvënës. Ai dhe shokët e tij u kërcënuan ndërsa hynë në një dhomë pritjeje vetëm për të bardhët në terminalin e autobuzëve në Karolinën e Jugut.

"Ne u sulmuam nga një grup djemsh të bardhë të cilët na rrahën dhe na lanë të mbuluar në gjak. Zyrtarët e policisë lokale erdhën dhe na pyetën nëse do të ngrinim akuza. Ne thamë jo, ne duam paqe dhe jo dhunë".

Shpesh ishte një aktivist i bardhë që sulmohej i pari. Xhim Zverg përfundoi në spital.

"Dëgjova një kërcitje, rashë në kurriz. Një këmbë m’u shfaq në fytyrë dhe aq ishte. Humba ndjenjat".

"Jemi të gatshëm të pranojmë vdekjen, por do të vazhdojmë të vijmë derisa të mund të udhëtojmë gjithkund në jug".

Disa autobuzë kishin në bord policë apo ushtarë. Por ata shpesh nuk bënin asgjë kur njerëzit që zbrisnin nga autobuzi sulmoheshin. Këtij autobuzi të aktivistëve iu vu flaka në Alabama pasi mbi të u hodh një bombë përmes dritaresh. Hank Tomas kujton terrorin që përjetoi.

"Ndërsa autobuzi po digjej, ne të gjithë duhet të merrnim një vendim, a të vazhdonin të përpiqeshim të dilnim nga autobuzi dhe të binim në duart e bandave që do të na rrihnin për vdekje?"

Ndërsa aktivistët arritën të dilnin nga autobuzi, ata u rrahën por asnjë nuk vdiq. Megjithë thirrjet e zyrtarëve të qeverisë për të ndalur udhëtimin, Diane Nash, një studente, drejtuese e të drejtave civile thotë se lëvizja nuk po dorëzohej.

"Ishte e qartë për mua se nëse do të lejonim udhëtimin e lirë të ndalonte në atë pikë, pas gjithë asaj dhune, mesazhi do të ishte – për të ndalur një fushatë paqësore duhet të shkaktosh dhunë masive".

Ndërsa udhëtimet vazhdonin, më shumë aktivistë u futën në burg për shkelje të ligjeve të ndarjes racore veçanërisht në Misisippi. Disa u futën në qeli të vogla ku nuk mund të lëviznin. Bernard Lafajet, thotë se kur të burgosurit nuk pranuan të ndalonin të këndonin këngë lirie, atyre iu morën krevatët, çarçafët dhe furçat e dhëmbëve. Udhëheqësi i të drejtave civile C.T. Vivian udhëtoi në një autobuz dhe thotë se aktivistët Freedom Riders sollën shpresë tek zezakët në zonat rurale në jug që më pas krijuan lëvizjen e të drejtave civile.

"Shpresat e tyre ishin për ne. Në fakt ne supozoheshim të bënim si ata për të arritur që një ditë fëmijët tanë të mos të përballeshin me atë që përballeshim ne".

Përpjekjet e aktivistëve sollën ndryshim. Në fund të vitit 1961, qeveria amerikane ndaloi ndarjet racore në terminalet e udhëtimit me autobuzë dhe trena.

XS
SM
MD
LG