Lidhje

SHBA e BE: Më shumë luftë korrupsionit


Ambasadori amerikan Arvizu para prokurorëve: Korrupsioni në gjyqësor rrezikon të gjithë sistemin e Drejtësisë. Ambasadori i BE-së Sequi takon ministrin e Brendshëm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu theksoi sot nevojën e luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor ndërsa u shpreh se ky fenomen mund të minojë të gjithë sistemin e Drejtësisë. Ambasadori Arvizu i bëri këto komente gjatë një takimi me njësitë hetimore të ngritura pranë prokurorive në rrethe, për të luftuar korrupsionin. Shqipërisë i është kërkuar të bëjë përpjekje kundër këtij fenomeni dhe kundër krimit të organizuar edhe nga Brukseli, në mënyrë që vendi të mund të përfitojë statusin kandidat. Nga ana e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha sot se do të bëhet gjithshka që vendi të jap shenja të qarta të angazhimit në këtë luftë.

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Që prej vitit 2007 shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në krijimin dhe funksionimin e 7 njësive të përbashkëta hetimore në të gjithë vendin, si një instrument për të luftuar fenomenin e korrupsionit. Në një takim me këto njësi, të cilat këto ditë do të marrin përvojë nga ekspertë amerikane, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Alexandër Arvizu, tha se kjo periudhë e tranzicionit politik në Shqipëri mund të jetë një “moment mundësish të reja për të ndryshuar perceptimin e korrupsionit në vend, në mënyrë të veçantë mënyrën se si institucionet mund të punojnë së bashku për të trajtuar çëshjet e korrupsionit”. Ambasadori Arvizu vuri theksin te nevoja e goditjes së korrupsionit në Drejtësi. Ai tha se në Shqipëri problemi është serioz, ndërsa kujtoi rezultatet e sondazheve të Transperancy international sipas të cilave sisitemi gjyqësor shihet nga 80 përqind e qytetarëve si i korruptuar.

"Korrupsioni publik që përfshin gjykatësit mund të minojë të gjithë sistemin e drejtësisë. Ai shkatërron besimin dhe sigurinë e publikut në sistemin ligjor dhe dobëson respektin për ligjit. Ai i privon sipërmarrësit nga siguria që duhet të kenë për të bërë investime të rëndësishme. Dhe më e rëndësishmja, cilido rast që ndikohet nga korruptimi i gjyqësorit përbën një dështim të drejtësisë", u shpreh ambasadori Arvizu.

Nga ana e tij prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha se pret që Njësitë e përbashkëta hetimore të bëjnë maksimumin e tyre: “Publiku i gjerë është një barometër i pagabueshëm dhe institucionet publike duhet të dinë ta lexojnë drejt atë. Pikërisht, janë qytetarët ata që kanë pritshmëri të lartë nga strukturat antikorrupsion dhe ne, si prokurorë, kemi detyrimin që të plotësojmë pritshmëritë e tyre”.

Sinjale të dukshme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar i janë kërkuar Shqipërisë edhe nga Bashkimi europian si një kusht që vendi të mund të marrë statusin kandidat në dhjetor. Këtë e theksoi sot edhe ambasadori i Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi, në përfundim të një takimi me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri i cili siguroi se “edhe pse në kohë të shkurtër, do jemi në gjendje të demonstrojmë shenja të qarta të angazhimit tonë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve, dhe gjithashtu në vullnetin tonë të hekurt për të çmontuar kulturën e pandëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit, dhe veçanërisht në korrupsionin elitar”

Ambasadori Sequi tha se mbështetja e Brukselit nuk do të mungojë, ndërsa njoftoi nisjen e projektit të ri të asistencës ndaj policisë shqiptare “Pameca 4”, me një vlerë prej 4 milion eurosh, si dhe dy programe binjakëzimi, me vlerë 3 milion euro, njëri për luftën ndaj krimit të organizuar dhe tjetri për luftën ndaj korrupsionit
XS
SM
MD
LG