Lidhje

Arvizu takon Spahiun: Shmangni retorikat nacionaliste


Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u takua sot në Tiranë me kryetarin e partisë Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Gjatë takimit, ambasadori Arvizu i bëri thirrje Aleancës Kuq e Zi, një forcë e re politike e cila ra shpejt në sy për deklaratat agresive, dhe veçanërisht për thirrjet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, që platforma dhe programi i saj “të shmangë tundimin për të rrëshkitur drejt retorikës nacionaliste”. Sipas amabasadorit amerikan stabiliteti dhe moderacioni në rajon janë “jashtëzakonisht të rëndësishme” për Shtetet e Bashkuara.

Pak kohë më parë Aleanca Kuq e Zi paraqiti një kërkesë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për organizimin e një referendumi për bashkimin me Kosovën. Pas takimit me ambasadorin Arvizu, kryetari i AK, Kreshnik Spahiu, tha se kjo forcë “do të prezantojë programin dhe platformën e saj, të orientuar në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e zezë”.

Deklarata e sotme e ambasadorit amerikan, është në vazhdën e disa komenteve publike që diplomati amerikan ka bërë pas rritjes së toneve dhe retorikës nacionaliste në politikën shqiptare, veçanërisht në vigjilje të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë, nëntorin e kaluar.
XS
SM
MD
LG