Lidhje

Ashton në Kiev: Do ta ndihmojmë Ukrainën


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, premtoi një mbështetje më të madhe ndërkombëtare për Ukrainën, ndërsa atje po bëhen përpjekje për formimin e një qeverie të re pas dëbimit të presidentit Viktor Yanukovych.

Catherine Ashton dha sot një konferencë shtypi gjatë vizitës në kryeqytetin Kiev. Ajo tha se institucionet financiare perëndimore po punojnë mbi mënyrat për ta ndihmuar ekonominë e Ukrainës të rimëkëmbet nga tre muaj protesta politike. Zonja Ashton po ashtu i bëri thirrje Rusisë ta lejojë vendin të gjejë rrugëdalje nga kriza politike.

Po sot, Parlamenti i Ukrainës i shtyu për të enjten planet për zgjedhjen e një qeverie kombëtare uniteti. Kryetari i Parlementit dhe presidenti në detyrë, Oleksandr Turchynov, e bëri njoftimin sot, kur do të bëheshin të njohur udhëheqësit e rinj të Parlamentit. Sipas njoftimeve, kjo vonesë synon të lejohen konsultime të reja për këtë çështje.

Sot në Ukrainë shkon edhe nënsekretari i shtetit William Burns. Ai pritet të takohet me presidentin në detyrë, Turchynov, si dhe me anëtarët e Parlamentit. Departamenti i Shtetit tha se zoti Burns “do t’i bëjë thirrje qeverisë së re të merren të gjitha hapat e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të drejta në muajin maj”.

Dje, qeveria e përkohëshme e Ukrainës lëshoi një urdhër arresti për Presidentin e dëbuar Yanukovych, duke e akuzuar atë dhe zyrtarë të tjerë për vrasjen massive të protestuesve anti-qeveritarë.
XS
SM
MD
LG