Lidhje

Asad: Nuk ka mëshirë për terroristët


Amerika po bën thirrje për plane tranzicioni për periudhën pas largimit të Presidentit Asad

Presidenti i Sirisë Bashar al-Asad është zotuar të spastrojë vendin nga elementët që i cilëson si ‘terroristë’ ndërkohë që forcat e sigurimit vazhdojnë të luftojnë kundër rebelëve që janë përpjekur të marrin nën kontroll disa pjesë të Aleppos dhe Damaskut.

Media shtetërore siriane citon Presidentin Asad, i cili është shprehur dje se nuk do të ketë mëshirë për ata elementë që i cilëson ‘terroristë’. Ai u takua me sekretarin e këshillit të sigurimit kombëtar të Iranit, Said Xhalili.

Zoti Xhalili ishte zotuar për vazhdimin e përkrahjes iraniane për Sirinë, së cilës i referohet si ‘aksi i rezistencës’ kundër kundërshtarëve të huaj.

“Besojmë se të gjitha komplotet që po organizohen kundër Sirisë përfaqësojnë një urrejtje me rrënjë të thella, që pasqyron një hakmarrje për rolin e veçantë dhe të nderuar të Sirisë në fushën e qëndresës”.

Po dje, organizata Amnesty International publikoi pamje satelitore të Alepos dhe zonave përreth, ku shiheshin gjurmë të përdorimit më të gjerë të artilerisë. Organizata thotë pamjet çojnë në përfundimin shqetësues se mund të ketë plane për një sulm kundër qytetit së shpejti.

Banorët e zonave përreth thonë se sulmet kanë qenë të pandërprera:

“Bombardimet vazhdojnë. Ka sulme përditë. Ndoshta mbi 60 raketa në ditë. Shumë njerëz kanë vdekur nga bombardimet. Ka të tjerë që kanë mbetur pa këmbë e duar”.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton thotë se ka ardhur koha që fuqitë botërore të fillojnë planifikimet për skenarin pas rrëzimit të qeverisë së Asadit.

“Intensiteti i luftimeve në Aleppo, dezertimet, të gjitha këto nxjerrin në pah sa rëndësi ka të bashkohemi dhe të punojmë për një plan të mirë tranzicioni dhe shpresoj se kushdo do ta kuptojë se rruga më e mirë për të arritur në këtë pikë sa më parë është të ndalim luftimet dhe të fillojmë tranzicionin politik drejt një të ardhmeje më të mirë për popullin sirian”.

Zonja Klinton thotë se ka në plan ta diskutojë çështjen me zyrtarët turq gjatë vizitës së saj në Stamboll të shtunën.

XS
SM
MD
LG