Lidhje

Julian Assange, kandidat për post politik në Australi


Themeluesi i faqes elektronike WikiLeaks, Julian Assange ka në plan të kandidojë për një post politik në Australi. Ai thotë se synon të kandidojë për një vend në Senat, në dhomën e lartë të parlamentit të Australisë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen këtë vit. Nga Sydney, njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Mercer.

Wikileaks ka tërhequr vemendjen e komunitetit ndërkombëtar, madje ka shkaktuar shumë debate me publikimin e sekreteve të qeverive dhe korporatave të ndryshme.
Tani, Partia WikiLeaks do të shpallë kandidatët e saj në shtetet me popullsinë më të madhe të Australisë, në Viktoria dhe New South Wales si dhe Australinë perëndimore. Emrat e kandidatëve do të njoftohen muajin e ardhshëm. Ata do të kandidojnë për vende në Senatin federal, Dhoma e Lartë e parlamentit të Australisë.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange do të kandidojë për një vend në senat, që përfaqëson shtetin e Viktorias. Një zëdhënës tha se partia e re është e angazhuar për lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut, vetvendosjen e banorëve indigjenë të Australisë dhe për “të vërtetën dhe transparencën” e qeverive dhe korporatave.

Sipas anketave të opinionit të zhvilluara vitin e kaluar, 25 për qind e australianëve ka të ngjarë të votojnë për zotin Assange, i cili gëzon mbështetje më të madhe mes votuesve të rinj dhe ambientalistëve. Andrew Fowler, autor i një biografie të themeluesit të WikiLeaks, beson se zoti Assange është bërë një folës më i aftë publik me kapacitetin për të turpëruar qeveritë dhe politikanët.

“Aktivizmi i tij do ta bëjë atë tërheqës për pjesë të mëdha të lëvizjes së majtë të gjelbër në Australi. Por aktivizmi i tij do ta bëjë atë tërheqës edhe për njerëz të spektreve të tjera politike, që mund të mendojnë se Australia po shkon drejt asaj, që vetë zoti Assange, e quan “një shtet survejues” dhe kjo do të shqetësojë edhe shumë njerëz konservatorë”.

Analistë të tjerë mendojnë se WikiLeaks po kapërcen një vijë të rëndësishme, duke u përpjekur të bashkohet në një proces politik në vend që të qëndrojë mënjanë si një medium thuajse gazetaresk.

Wikileaks ka mbështetur publikimin e komnunikimeve sekrete në Shtetet e Bashkuara, dokumenta ushtarake sekrete si dhe pamje të luftës në Irak dhe në Afganistan, si pjesë e misionit të tij për të njohur publikun me lajme dhe informacione të rëndësishme.
Kritikët thonë se publikimet e Wikileaks kanë vënë në rrezik informatorët dhe kanë shkelur ligjet. Prokurorë amerikanë kanë thënë se Wikileaks dhe themeluesi i saj Assange mund të ndiqen penalisht për vjedhje të pasurisë qeveritare.

Ariadne Vromen, profesore në Fakultetin për Marrëdhëniet Qeveritare dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Sidnit, thotë se partia e re mund ta ketë të vështirë të funksionojë brënda sistemit politik të Australisë.

“Është më e lehtë të jesh jashtë sistemit politik dhe parlamentar dhe ta kritikosh atë. Sapo të bëhesh pjesë e parlamentit, të duhet të negociosh me partitë e tjera. Është e vështirë të jesh parti e një çështjeje të vetme, prandaj mendoj se zoti Assange do ta gjejë veten më shumë të zemëruar se sa të eksituar nga kjo.”

Themeluesi i WikiLeaks është bllokuar në Ambasdadën e Eduadorit në Londër që prej qershorit të vitit të kaluar për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballet me akuzat për sulm seksual, akuza që ai i ka hedhur poshtë si politikisht të motivuara.
Analisti Antony Green thotë se edhe nëse fiton zgjedhjet, Julian Assange nuk do të lejohet të kthehet në Australi.

“Sapo të dalë nga Ambasada e Ekuadorit, ai do të arrestohet nga qeveria britanike dhe ekstradohet në Suedi për t’u marrë në pyetje. Nëse do të zgjidhej, ai nuk mund të bëjë betimin, që do të thotë se pas një farë kohe vendi i tij do të shpallej bosh dhe do të mbushej nga një person tjetër”.

WikiLeaks thotë se partia e re e ka kaluar tashmë numrin e 500 anëtarëve të kërkuar për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Australisë. Formalitetet e regjistrimit pritet të përfundojnë brënda këtij muaji. Australia i mban zgjedhjet në mes të shtatorit.
XS
SM
MD
LG