Astronautët e NASË-s kryen ecjen e tretë në hapësirë për zëvendësimin e një sistemi difektoz të ftohjes në Stacionin Ndërkombëtar Orbital.
Amerikanët Dag Wheellok dhe Tracy Caldwell Dyson instaluan një pompë të re, e cila furnizon me amoniak sistemin ftohës të Stacionit Ndërkombëtar, që shërben për të mbajtur temperatura konstante në sistemet elektrike dhe të flururimit të stacionit.
Prishja e pompës së mëparshme shkaktoi mbylljen e gjysmës së sistemit ftohës të stacionit më 31 korrik. Astronautët e hoqën pompën e dëmtuar javën e kaluar, gjatë një daljeje në hapësirë.
Ecja e sotme pritej të zgjate rreth 6 orë e gjysëm, por në fakt ajo zgjati vetëm rreth dy orë. NASA thotë se pompa difektoze nuk i ka rrezikuar tre amerikanët dhe tre rusët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.