Lidhje

Zgjedhjet në Austri dhe lëvizjet populiste në Evropë


Evropa pritet të ketë si udhëheqësin e saj më të ri 31-vjeçarin austriak Sebastian Kurz, i cili fitoi zgjedhjet e së dielës. Pas shpalljes së shumicës së rezultateve, ministri i jashtëm konservator duket se ka fituar mbi 31 për qind të votave, e pamjaftueshme për krijimin e qeverisë. Kjo do të thotë se tani do të ketë bisedime të vështira për krijimin e një koalicioni qeverisës. Siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, fitorja e zotit Kurz është ndërtuar kryesisht mbi një platformë kundër emigrantëve, dhe duke marrë parasysh se Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, doli e dyta në zgjedhje, duket se ka patur një zhvendosje të konsiderueshme politike në vend:

Fitorja e tij shënon një ngritje jashtëzakonisht të shpejtë në krye të politikës austriake. Sebastian Kurz transformoi fatin e Partisë Popullore. Ai bëri një fushatë intensive për zgjedhjet.

"Unë do të gjej një rrugë shumë të qartë, e cila do ta ulë emigracionin e paligjshëm në zero. Ata që përpiqen të hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme duhet të ndalen në kufi, duhet të kujdesemi për ata dhe t’i kthejmë në vendet e tyre".

Zgjedhjet në Francë dhe Holandë këtë vit frenuan përparimin e partive populiste të krahut të djathtë në Evropë. Por Austria ka treguar se ato ende janë një forcë e madhe politike.

"Populizmi i krahut të djathtë sigurisht që nuk ka vdekur në Evropë, veçanërisht në Austri. Austria ishte një nga vendet kryesore të pritjes së refugjatëve, por edhe një vend tranzit gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015. Madje edhe në fushatën zgjedhore të këtij viti, kjo ishte një temat kryesore me të cilën u lidhën të gjitha çështjet e tjera", thotë Leopold Traugott i oganizatës “Evropa e Hapur”.

Rivali i zotit Kurz, Heinz-Christian Strachel, udhëheqës i Partisë Liria, ka akuzuar fituesin e zgjedhjeve për vjedhjen e politikave të tij dhe slloganeve politike mbi imigracionin dhe Islamin.

Duke marrë parasysh se asnjëra parti nuk ka fituar shumicën, pritet të ketë bisedime të vështira për formimin e koalicioneve. Analistët e shohin si një alternativë më të mundshme një koalicion mes Partisë Popullore dhe Partisë Liria

"Pyetja se si mund të mposhten populistët është debatuar në të gjithë Evropën. Dhe të paktën në Austri, lëvizja drejt tyre sigurisht nuk ndihmoi", thotë Leopold Traugott i oganizatës “Evropa e Hapur”.

Në Austri, ashtu si në pjesë të tjera të Evropës, analistët thonë se votuesit shprehin të njëjtat shqetësime të përbashkëta.

"Në përgjithësi: globalizimi, dixhitalizimi, kriza ekonomike, pasiguria gjithnjë e më e madhe e njerëzve, humbja e vendeve të punës dhe ndjenja se sidomos njerëzit më pak të arsimuar nuk mund të përshtaten me ndryshimet e kohës moderne, tregun modern të punës dhe kështu me radhë", thotë analistja Alexandra Siegl.

Këto çështje bënë jehonë në zgjedhjet presidenciale në Francë, të fituara nga Emmanuel Macron, një udhëheqës tjetër i ri, i cili sulmoi klasën politike të vendit. Analistët thonë se ngjashmëritë përfundojnë këtu.

"Ndërsa Macron është një kozmopolit, një globalist siç e quan veten, Sebastian Kurz në mënyrë të qartë portretizon një imazh më konservator, dhe më tradicional", thotë Leopold Traugott i oganizatës “Evropa e Hapur”.

Vizione të kundërta për brezin e ri të udhëheqësve politikë evropianë. Për vetë BE-në, analistët thonë se rezultati në Austri do të dëmtojë shpresat se 2016, viti kur u votua për Brexit-in, shënoi fillimin e fundit të ngritjes së populistëve të krahut të djathtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG