Lidhje

Analizë e re gjaku për zbulimin e sëmundjeve të mushkërive


Analizë e re gjaku për zbulimin e sëmundjeve të mushkërive
Analizë e re gjaku për zbulimin e sëmundjeve të mushkërive

Mushkëritë janë organe jetike që thithin oksigjenin nga ajri dhe e dërgojnë atë në gjak. Pavarësisht nga dëshmitë se tymi i duhanit dëmton mushkëritë, njerëzit vazhdojnë të pijnë. Sipas një studimi, një analizë e re gjaku mund të përcaktojë saktë se kur është koha për të lënë duhanin.

Sëmundjet e mushkërive mbulojnë një gamë të çrregullimeve nga astma dhe gripi e deri tek tuberkulozi, emfizema ose bllokimi kronik i frymëmarrjes apo COPD dhe kanceri.

Disa nga shenjat paralajmëruese përfshijnë kollën kronike, gulçimin, kollën me gjak ose dhimbje gjoksi.

Por tani një analizë e re gjaku mund të zbulojë emfizemën që në fazat e herëshme. Sipas një studimi botuar në revistën mjekësore mbi sëmundjet e frymëmarrjes, shkencëtarët kanë njëjtësuar një veçori fizike në gjakun e atyre që pijnë duhan me sëmundje në mushkëri në fazë të herëshme.

E njëjta veçori (biomarker) ishte e pranishme edhe tek personat që pinin duhan por që nuk ishin të sëmurë. Ndërsa tek personat që nuk pinin duhan kjo veçori fizike në gjak nuk ekzistonte. Autorët e studimit arritën në përfundimin se prania e kësaj veçorie fizike mund të jetë shenjë e herëshme e emfizemës. Autorët e studimit sugjerojnë se një analizë gjaku që t'u tregojë duhanpirësve se mushkëritë e tyre janë duke u prekur nga sëmundja mund të jetë një nxitje e fortë për të lënë duhanin.

Kërkime të reja në fushën e autizmit

Katër vjet më parë, Tyler Hudson nga Atlanta u diagnostikua me autizëm. Lajmi ishte i rëndë për gjithë familjen, thotë nëna e tij. Mjekët rekomanduan që Tyler t'i nënshtrohej terapisë për zhvillimin e të folurit.

Tani në moshën 7 vjeçare Tyler është një fëmijë normal që shkon në shkollë, merret me sport e ka shumë shokë. Disa mendojnë se autizmi iu shkaktua nga vaksina, por mjekët thonë se kërkimet e shumta tregojnë se vaksina nuk ka luajtur ndonjë rol si shkaktare e autizmit.

Mjeku John Stofner ka 20 vjet që studion lidhjen midis autizmit dhe sëmundies mitochondria. Mitochondria prodhon shumë prej energjisë që trupi ka nevojë. Doktor Stofner thotë se mosfunksionimi i mitochondrias mund të ketë lidhje me një numër problemesh përfshi sëmundjet Alzheimer, Parkinson dhe Autizëm.

Në laborator, mjekët zbuluan se fëmijët e prekur njëkohësisht nga autizmi dhe nga sëmundja e mitochondrias janë në rrezik më të lartë për përsëritjen e simptomave të autizmit kur këtë fëmijë kanë temperaturë të lartë trupore. Doktor Stofner thotë se një temperaturë trupore prej 39 gradë Celsius ose më e lartë e shoqëruar me mungesë lëngjesh mund të nxizin autizmin. Ai u bën thirrje prindërve të cilët besojnë se fëmijët e tyre mund të jenë në rrezik që të këshillohen me mjekët pediatër.

Doktor Stofner thotë sëmundja e mitochondrias në disa raste mund të diagnostikohet e trajtohet. Për punën e tij kërkimore në fushën e autizmit, doktor Stofner është nderua me çmim nga grupi Autism Speaks. Aktualisht, doktor Stofner po punon në një projekt të përbashkët me universitetin Teknologjik të shtetit Xhorxhia për studimin e funksionit të trurit të fëmijëve me sëmundje mitochondria dhe autizëm.

Më shumë të mbijetuar me kancer

Kanceri nuk është më një paralajmërues vdekjeje siç ka qenë dikur. Në fakt, më shumë amerikanë sot jetojnë me kancer sesa kurrë më parë.

Sipas një studimi nga Instituti Kombëtar mbi Kancerin dhe

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 1 në 20 amerikanë mbi 20 vjeç tani është mbijetues nga kanceri.

Për këtë studim u përdorën të dhëna nga studime të tjera rreth kancerit. Autorët vunë re se numri i personave të mbijetuar nga kanceri në Shtetet e Bashkuara u rrit nga 10 milionë në vitin 2001 në thuajse 12 milionë në vitin 2007. Sipas studimit, gratë kishin më shumë gjasa sesa burrat për të mbijetuar nga kanceri.

Gati dy të tretat e të gjithë të mbijetuarve nga kanceri që nga janari 2007 kanë jetuar me këtë sëmundje 5 vjet ose më shumë.

Shumica e kancereve të diagnostikuar ishin në gji, prostat dhe zorrën e trashë. Shumica e të mbijetuarve ishin 65 vjeç e lart. Më pak se 1 përqind ishin nën moshën 20 vjeç, shumë prej të cilëve me Leukozë.

Për shtimin e numrit të të mbijetuarve me kanceri, studiuesit përmendin përprarimin në fushën e diagnostikimeve dhe zbulimin në fazë të herëshme të sëmundjes, trajtimet më të efektshme, dhe përmirësimin e kujdesit klinik. Në se këto prirje vazhdojnë, numri i të mbijetuarve nga kanceri parashikohet të rritet edhe më shumë.

XS
SM
MD
LG