Përpjekjet për krijimin e një baterie që të mund të verë në lëvizje automobilët pa përdorur fare benzinë i kanë bërë inxhinjerët të mendojnë edhe për krijimin e një avioni elektrik. Kohët e fundit në një ekspozitë në shtetin Uiskonsin u demonstruan disa projekte të reja avionësh të tillë. Ekspozita organizohet nga Shoqata e Mjeteve Fluturuese Eksperimentale. Megjithëse avionët elektrikë për pasagjerë i takojnë së ardhmes së largët, avionët sportivë apo helikopterët që punojnë me bateri mund të dalin në treg pas disa vjetësh.
John Monnett është themeluesi i firmës Sonex Aircraft. Ai flet me pasion kur flet për vetitë e avionit të ri eksperimental WAIEX. Ky i ngjan një avioni të vogël po zhurmën nuk e ka aspak si të një avioni të vogël. Kjo sepse ky version i WAIEX-it nuk përdor motor me djegie të brendshme por punon me bateri.
"Deshëm të stimulonim ide të reja për avionët elektrikë dhe ky avion është kulmi i këtyre përpjekjeve. Është gatë të fluturojë, është krejtësisht elektrik, pra ka baterinë dhe motorin e tij elektrik."
Avioni me bateri WAIEX është produkt i një nisme të quajtur Sonex e-flight. Kompanie e filloi këtë punë në vitin 2006 për të nxitur krijimin e avionëve me burrime të tjera energjie.
"Ky është një moment historik," thotë Craig Willan, inxhinier avionësh. Ai e ka ndjekur nga afër procesin e ndërtimit të avionit elektrik.
"Çfarë do të na sjellë elektriciteti në ajër? Të mirat nuk kanë fund. Kjo është një formë e pastër, e përtëritëshme dhe efikase energjie."
Kështu mendon edhe inxhinieri Jonathan Hartman.
"Motori elektrik ka shumë të mira krahasuar me motorin me diegie të brendshme. Ai gjeneron më pak zhurmë dhe dridhje, është më i thjeshtë në ndërtim pra kushton më pak dhe manipulohet më lehtë."
Hartman bën pjesë në ekipin e firmës Sikorsky Aircraft që ka në dorë projektin e quajtur Firefly. Fjala është për një helikopter me një rotor të vetëm që funksionon me bateri të prodhuara nga firma amerikane Hybrid.
"Burimi i energjisë këtu janë dy bateritë që shihni në secilën anë. Janë bateri me litium të ngjashme me ato që përdoren në kompjuterin portativ por të përshtatur për helikopterin."
Hartman thotë se kompanisë i lindi kjo ide për shkak të luhatjes së çmimeve të benzinës në treg.
"Helikopterë të tillë luajnë rol të madh si për qëllime civile edhe ushtarake. Por ky rol kërcënohet nga mungesat e karburantit ose nga çmimi i lartë i tij."
Megjithatë, pikërisht ajo që i vë në lëvizje avionët elektrikë është edhe pengesa më e madhe. Bateritë janë të mëdha dhe të rënda kështu që krijimi i baterive më të lehta është sfida më e madhe për makina të tilla që nuk e durojnë dot peshën.
Hartman mendon se Sikorsky e ka gjetur zgjidhjen. Ai shpreson që provat e helikopterit me njerëz të fillojnë së shpejti.
"Ky helikopter mund dhe do të fluturojë patjetër. Kjo do të bëhet pas përfundimit të provave, shpresojmë nga fundi i këtij viti."
Projektet Sonex dhe Sikorsky janë dy shembuj në morinë e gjerë të shpikjeve që lidhen me avionin elektrik, i cili është në fazën e lindjes.
Ekpertët thonë se përdorimi i kësaj teknologjie në avionët e udhëtarëve është një ëndërr e cila i përket së ardhmes së largët.